RTSH 24 Live

Politikë

Reforma Territoriale/ PD: Të shtohen bashkitë në 94 të tilla, të hiqen qarqet dhe të bëhen 6 ose 3 rajone

03/10/2022

Reforma Territoriale/ PD: Të shtohen bashkitë në 94 të tilla, të hiqen qarqet dhe të bëhen 6 ose 3 rajone

Dy janë opsionet e paraqitura nga Partia Demokratike për Reformën Territoriale ku kërkon heqjen e qarqeve dhe ndarjen e vendit në rajone. Në opsion e parë ajo kërkon krijimin e 6 rajoneve: Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë. Në opsionin e dytë PD, kërkon ndarjen e vendit në 3 rajone: Rajoni Adriatikut (Shkodër, Lezhë, Dibër, Kukës) Rajoni Adriatiko-Jonian(Tiranë, Durrës Elbasan), Rajoni Jonian (Vlorë, Korçë, Gjirokastër).

Në të dy opsione PD e grupimit të Enkelejd Alibeaj kërkohet shtimi i bashkive nga 61 në 92 të tilla.

Prezantimi është bërë nga ekspertët e PD në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar për ‘Reformën Administrativo-Territoriale’.   

Eksperti i PD, Agron Haxhimali ka prezantuar 33 bashkitë që propozohen të shtohen si dhe propozoi që të rikthehet një ministri për pushtetin vendor.

Jemi përpjekur të bëjmë më të mirën për reformën. Një përmbledhje e këtij raporti na tregon që Shqipëria ka shanse të mëdha të rrisë efikasitetin e shërbimeve te qytetarët, të rrisë pjesëmarrjen dhe vendimmarrjen, kjo arrihet me pak ndërhyrje. Krijimi i bashkive të reja rurale do të krijonte për këto zona mundësi më të mëdha, do kemi reduktim të pabarazisë mes zonave rurale dhe urbane. Një element I rëndësishëm është përmirësimi I demokracisë vendore përmes rritjes së përfaqësimit.

Modeli i pushteti vendor. Bazuar në analizën tonë rekomandojmë që Shqipëria të vazhdojë të mbajë qeverisje vendore me dy nivele dhe të përforcojë qeverisjen me shumë nivele. Shqipërisë i duhet ligji për referendumet lokale, dyfishim të transfertës së pakufizuar që i jepet bashkive pra nga 1 % që është në 2% si dhe qeveria të rikthejë ministri të dedikuar për pushtetin vendor”, tha Haxhimaili.

Megjithatë mazhoranca ka artikuluar së fundi se mund të lëvizë vetëm me një numër të vogël bashkish, nga qëndrimi i saj i parë të mos prekur ndarjen me 61 të tilla, që është aktualisht. PS e ka thënë hapur se rrugën e negocimit e ka të hapur vetëm për grupimin Alibeaj. Nga ana tjetër Rithemelimi i Berishës kërkon 95 bashki dhe 5 rajone.

/rtsh.al/