RTSH 24 Live

Rajon

Reciprociteti për targat, Kurti mesazh serbëve të Kosovës në gjuhën e tyre: Detyra jonë t’ju mbrojmë nga diskriminimi

30/07/2022

Reciprociteti për targat, Kurti mesazh serbëve të Kosovës në gjuhën e tyre: Detyra jonë t’ju mbrojmë nga diskriminimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videomesazhi në gjuhën serbe iu është drejtuar të gjithë serbëve në lidhje me dy vendimet qeveritare që do të hyjnë në fuqi nga e hëna, e që kanë të bëjnë me reciprocitetin e letërnjoftimeve dhe për regjistrimin e automjeteve me targa të Kosovës. Kurti do të fillojë edhe procesi i regjistrimit të veturave që posedojnë targa ilegale të cilat do të konvertohen në RKS. Kurti tha se këto dy vendime synohet që të mbrohen të drejtat e qytetarëve nga veprimet diskriminuese të shtetit serb.

“Nuk duam që këtë veprim tonin ta kuptoni ndryshe, përveç si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si nënshtetas të Republikës së Kosovës. Obligimi jonë është që të mbrojmë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese të cilat siç janë kërcënim ndaj shtetit, janë kërcënime ndaj gjithë neve, si shtetas të tij. Institucionet bartëse të këtij procesi kanë bërë përgatitjet e nevojshme ligjore dhe logjistike. Zyrtarët shtetërorë janë të përkushtuar që bashkërisht me ju, ta fillojnë dhe zhvillojnë këtë proces me sukses.

Ju e dini që u jam drejtuar shumë herë me qëllim të vendosjes së komunikimit sa më të mirë ndërmjet nesh, pasi vetëm ashtu, së bashku, mund të sigurojmë të ardhme më të mirë dhe më të ndritur. Edhe kësaj radhe kërkoj nga ju besim dhe vullnet që së bashku të kalojmë nëpër këtë proces dhe përfundojmë regjistrimin. Qeveria ime, e me këtë të gjithë ministrat përgjegjës janë në dispozicion tuaj lidhur me çdo pyetje apo paqartësi që mund të keni lidhur me këtë temë.

Kjo që po fillojmë ne tani, me 1 gusht, Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vitesh. Ne do të jemi në dispozicion duke dëshmuar që çdo veprim i yni është vetëm respektim i ligjit, i cili si i tillë, trajton secilin dhe të gjithë njësoj.  Besoni Qeverisë tuaj. Ju faleminderit”, tha Kurti.

/rtsh.al/