RTSH 24 Live

Politikë

Reciprociteti i targave, Rama: E drejta këtu është me Kosovën e pikë!

27/09/2021

Reciprociteti i targave, Rama: E drejta këtu është me Kosovën e pikë!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbështet Kosovën në tensionet e fundit me Serbinë. Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij, Albin Kurti  konsideroi reciprocitetin një normë elementare. "Aplikimi i reciprocitetit të targave është normë elementare, por dhe marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive respective. Dua ta them këtu sot, qëndrimin e Shqipërisë të cilin e gjykoj të qartë e të drejtë, qysh nga çasti i parë që u shfaq, e drejta këtu është më Kosovën dhe pikë.’’- tha zoti Rama.
Kryeministri Edi Rama thekson se njohja e Kosovës duhet të jetë një realitet i pakthyeshëm për Serbinë. "Po ashtu një përparësitë e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB do të jetë pikërisht nxitja e njohjes nga të gjithë e realitetit të pakthyeshëm të Kosovës. Nuk ka diskutim që në radhë të parë dhe mbi të gjitha është Serbia që duhet të njohë Kosovën, është për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të dialogut drejt njohjes reciproke, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale luftarake të Serbisë" tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama gjithashtu gjatë kësaj konference u pyet edhe lidhur me "Ballkanin e Hapur" ku theksoi se tani më shumë se kurrë është i bindur se ky projekt duhet të vijojë. “Unë jam edhe më i bindur sot, dhe e them shumë sinqerisht, që “Ballkani i Hapur” është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim, në mënyrë ciklike, në baltën e së shkuarës dhe që t’i marrim potencialit tonë maksimumin, si shqiptarë, por edhe si rajon”, tha zoti Rama.

Dy kryeministrat u takuan për herë të parë pas  formimit të qeverisë së re, kjo është vizita e parë zyrtare e kryeministrit Edi Rama në Kosovë, me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, ku u caktua gjithashtu se që mbledhja e 2 qeverive të zhvillohet në Durrës në fund të nëntorit.