RTSH 24 Live

Kosova

Raporti i policisë për sulmin në Gllogjan: Autobusi dyshohet se u sulmua me kallash, autori në arrati

27/11/2021

Raporti i policisë për sulmin në Gllogjan: Autobusi dyshohet se u sulmua me kallash, autori në arrati

Policia e Kosovës ka dal me raport për sulmin makabër që u krye mbrëmjen e së premtes në Gllogjan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një. Në raportin e policisë mbi ngjarjen thuhet se shoferi ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa dy nxënësit kanë ndëruar jetë në spital. Sipas policisë autori I ngjarjes është në arrati dhe po punohet për zbulimin dhe kapjen e tij.  Sipas Policisë, dyshimet janë se autobusi është sulmuar me kallash. “Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58.  Është raportuar se një autobus ndërsa ishte duke transportuar udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull  kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj  dhe një femër (nxënës) janë dërguar në  Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport. Për krimin makabër që tronditi gjithë vendin është deklaruar për media Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmetaj. Ai ka thënë se aktualisht janë dy ose tri pista në të cilat po punohet për zbardhjen e autorit të krimit. “Të gjitha njësitet relevante janë këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë fillestare”, është shprehur Mehmeti. Mehmeti tha se janë duke u zhvilluar aksione në kërkim të të dyshuarit dhe po intervistohen persona që mund të kenë lidhje me rastin. Ai tha se janë duke punuar në dy ose tri drejtime, ku sipas tij, i kanë dyshimet, por që është herët të flitet se a kanë ose jo person/a të dyshimtë. Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist. Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”. Në vend të ngjarjes, përveç policisë, ka dalë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës. Kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.