Raporti i DASH për trafikun e qenieve njerëzore vuri në dukje se në Shqipëri, përpjekjet e qeverisë për të luftuar trafikimin kanë shënuar rënie dhe institucionet kanë çaluar në dënimin e rasteve të tilla ku ka pasur më pak hetime krahasuar me vitin e kaluar.
Për drejtoreshën e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri e vetmja zgjidhje që duhet për të luftuar këtë fenomen janë krijimi institucioneve të forta dhe të pa korruptuara si dhe edukimi dhe përgatitja e shoqërisë për të njohur dhe respektuar të drejtat e njeriut.
Në një intervistë për RTSH24, Ballauri tha se nuk duhet ecur me fasada, por qeveria dhe institucionet të ndryshojnë thelbin e trajtimit të çështjeve për luftimin e këtij fenomeni.
“Gjërat kanë ndryshuar ka një angazhim të fasadës por thelbi lihet mënjanë. Nëse nuk ndryshojmë thelbin nuk do të kemi ndryshim të jetës së shqiptarëve. Ky është një pjesë e dhimbshme e çështjeve sociale që ka Shqipëria. Prej 13 vitesh bëjmë një trajnim shumë të fortë që duhet akademia e të drejtave të njeriut për të rinjtë të mësojnë bazat e të drejtave të njeriut dhe si i implementojmë ato. Në Shqipëri shumë gjëra mezi ecin, por të drejtat e njeriut janë një nga fushat më të vështira. Ne e kemi këtë koncept të trashëguar dhe periudha e komunizmin shkatërroi thelbin e të drejtave të njeriut dhe ne ndërtuam diçka nga fillimi, ku procesi ka kaluar sfidat e veta. Forcimi i institucioneve duhet të jenë të pa korruptuar, nuk është mision i pamundur nëse ne të gjithë krijojmë një shoqëri të përgatitur për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, u shpreh Ballauri.
Ballauri shtoi se trafikimet në përgjithësi bëhen edhe më të sofistikuara për t’u identifikuar.
“Pas raportit duhet krijuar strategji që të jenë të suksesshme. Ka shumë gjëra që janë të lidhura me policinë që nuk janë realizuar. Duhet para rezultati i bashkëpunimit të organizatave dhe shtetit. Ajo që unë shoh është se trafikimet në përgjithësi janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara dhe shpesh kemi edhe lidhje të pushtetarëve me këto gjëra të paligjshme dhe vetvetiu bëhen edhe më të vështira për t’u identifikuar. Sofistikimi ka sjellë edhe faktin që nuk ka më dënime aq të mëdha sa vitin e kaluar. Shoqëria civile mund ta vë në dukje por nuk e zgjidh dot, kjo është një çështje e vullnetit të mirë të qeverisë dhe institucioneve”, tha ajo.
Në raportin e DASH për Shqipërinë thuhet se “trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktima vendase dhe të huaja në Shqipëri si dhe jashtë vendit.Trafikantët shfrytëzojnë gratë dhe fëmijët shqiptarë veçanërisht gjatë sezonit turistik. Ata përdorin premtime të rreme, si oferta për martesë ose punësim, për të joshur viktimat e tyre. Trafikantët zakonisht i detyrojnë fëmijët të lypin, ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar dhe gjithashtu i detyrojnë fëmijët të kryejnë vepra penale, përfshirë vjedhjen dhe shpërndarjen e narkotikëve”.
/rtsh.al/