RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Zgjedhjet e 11 majit janë historike, PS duhet të përmbushë misionin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

4 orë para

Rama: Zgjedhjet e 11 majit janë historike, PS duhet të përmbushë misionin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste zhvilloi të enjten një takim me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 të Tiranës, ku vuri theksin te procesi i integrimit evropian, duke renditur edhe përfitimet e vendit nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, përfitimet që do të ketë vendi nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, përkthehen në më shumë fonde për zhvillimin e infrastrukturës, bujqësisë dhe arsimin.

 “Nëse ne kemi bërë të gjitha këto vepra infrastrukturore, me anëtarësimin në BE mundësitë për të zhvilluar infrastrukturën do të shumëfishohen ‘sa hap e mbyll sytë’. Nëse kemi bërë çmos për bujqit e fermerët, mundësitë për ta shumëfishohen nëse hyjmë në BE”, tha Rama në fjalën e tij.

Sipas Ramës nëse arrihet të kapet treni, universitetet tona do të jenë në të njëjtin nivel me ato të BE-së, gjë që është e pamundur nëse nuk futemi në BE.

“Fondet e BE-së janë të pamundura nëse nuk je anëtar i asaj familjeje. Është njësoj si të hysh nuse apo dhëndër në një familje shumë të madhe pasi ke qenë jetim. Ky është 11 maji për fëmijët tanë dhe të gjithë ata që janë ende sot aktivë, sepse na duhet viti 2026 dhe viti 2027 për të mbyllur negociatat dhe për të futur Shqipërinë në BE. Në momentin që bëhet ratifikimi i parë mund të shkojmë te çdo monument dhe t’i themi: U bë kjo punë”, shtoi Rama.

Zgjedhjet e 11 majit historike

Kryeministri theksoi në fjalën e tij se është e papranueshme t’i kemi fëmijët e vendit me statusin aktual dhe jo atë të qytetarëve evropianë.

Ndaj, sipas tij, zgjedhjet e 11 majit janë historike për Shqipërinë, “pasi PS duhet ta përmbushë këtë mision”.

“Ky mision është pa asnjë ekzagjerim ngritja e dytë e flamurit kombëtar. Herën e parë u ngrit për t’u pavarësuar e bërë shtet më vete, këtë herë na jepet ne mundësia që ta ngremë flamurin për t’u bashkuar njëherë e mirë me Evropën nga e cila na mbajtën të ndarë shekujt”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, do t’i japë njëherë e mirë të gjithë brezave të ardhshëm disa garanci që askush tjetër nuk ia jep dot përveçse BE-së.

“Këto janë: liria individuale e panegociueshme dhe e paprekshme, sundimi i ligjit dhe barazia e të gjithëve para ligjit dhe standardet demokratike të bashkëjetesës. Këto vetëm në BE janë të garantuara. BE ka dy kategori vendesh: vendet kontribuese më të zhvilluara e të pasura që paguajnë për të tjerët dhe vendet përfituese, që janë vendet e reja që marrin nga arka e përbashkët që të avancojnë e të bëhen si të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se BE është një familje shtetesh dhe kjo është arsyeja pse vendet që kanë hyrë pas komunizmit janë sot më të zhvilluara.

/rtsh.al/