RTSH 24 Live

Politikë

Rama tur falenderimi në Durrës: PS e vetmja forcë që mund ta çojë vendin përpara!

26/05/2023

Rama tur falenderimi në Durrës: PS e vetmja forcë që mund ta çojë vendin përpara!

Kryeministri Edi Rama vazhdon të këmbënguli se PS, partia që ai udhëheq prej afro dy dekadash, është e vetmja forcë që mund ta çojë Shqipërinë përpara. 

Pas fitores së arritur në zgjedhjet lokale të 14 majit, zoti Rama ishte në Durrës ku PS shënoi një rezultat të thellë. 

Në takimin falenderues me mbështetësit e tij zoti Rama tha se rezultati i 14 majit ishte historik për Partinë Socialiste.

"Arritëm të marrim rezultat historik për partinë sepse për herë të parë pas 20 vjetësh PS është forcë e parë në Këshillin bashkiak të Durrësit dhe në shumë vende të tjera, jemi bërë forcë e parë në Këshillin bashkiak edhe në Shkodër e Tropojë. Kjo është një barrë shumë e madhe" tha zoti Rama. 

Por, nga ana tjetër, kryetari dhe kryeministri socialist tha se kjo është një barrë shumë e madhe që qytetarët iu kanë dhënë për të çuar përpara zhvillimin e vendit.

"Fakti që ne marrim rezultatin më të mirë historik në zgjedhjet vendore, është shprehje e një pritshmëri shumë të madhe, por jo e një kënaqësie të madhe të njerëzve me punën tonë, njerëzit na mbështesin, por presin akoma më shumë" tha ai. 

Kryeministri socialist u shpreh mjaftë kritik për udhëheqës të Partisë Socialiste me detyra të larta, të cilët sipas tij kanë turpëruar besimin e qytetarëve me veprimet e tyre. Ai tha se nuk ndihet aspak krenar për ata, por nuk përmendi emra. "I kanë dhënë dhe kosto në gjithë këto vite. Kanë marrë detyra të larta dhe kanë turpëruar besimin, mbështetjen, flamurin e familjen tonë" tha kreu i PS dhe kryeministri i vendit. 

Zoti Rama vlerësoi se në Durrës modeli historik i suksesit lidhet me një gjë themelore që është qenia pranë njerëzve. "Ju jeni një organizatë që njihni votuesit me emra dhe mbiemra, ju e dini ku i pikon çatia çdo shtëpie në çdo rrugicë. Bashkia s’ka mundur t’ja u zgjidhë dot të gjitha problemet njerëzve që kanë halle, por ama ka treguar hap pas hapi që çdo ditë bën diçka dhe zgjidh diçka. Të gjithë duhet të mësojnë në këtë pikë!” tha zoti Rama nga Durrësi.

/ rtsh.al /