RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Rama thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut të marrin pjesë masivisht në censusin e regjistrimit

26/03/2021

Rama thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut të marrin pjesë masivisht në censusin e regjistrimit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut të marrin pjesë masivisht në censusin e regjistrimit prej të cilit varet fuqia e tyre kushtetuese dhe vendimmarrja në punët e atij shtetit.

“Motra dhe vëllezër shqiptarë nga Tetova, Shkupi dhe krejt Maqedonia e Veriut. Ju sot duhet të jeni krenar për sa shumë keni arritur në përparimin e të drejtave tuaja në shtetin fqinj dhe mik. E mira nuk ka fund dhe asnjëherë nuk është mjaft, por mjafton të kthejmë kokën pas, jo shumë larg në kohë, veç disa vite më parë për të parë se çfarë hapash të mëdhenj dhe vendimtar keni hedhur në afirmimin e dinjitetit dhe identitetit shqiptar në atë Republikë, ku deri dje shqiptari trajtohej si kategori e dytë, edhe pse pa popullin shqiptar nuk ka shtet të Maqedonisë”, tha Rama, përmes një video mesazhi.

Rama tha se “historia që kemi bërë të gjithë së bashku në këto pak vite falë vizionit sa patriotik aq edhe republikan të Ali Ahmetit dhe vullnetit pozitiv të liderëve politikë që i dhanë jetë të ashtuquajturës me cinizëm nga penguesit e gjuhës sonë, platforma e Tiranës, është një faqe e ndritur e luftës së gjatë për liritë e të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Por, vijoi ai, “dita-ditës ashtu si kudo, ashtu si gjithmonë, ju ndanë edhe juve në çështje dhe opinione të ndryshme, normal”.

“Por ajo asesi nuk duhet kurrë më t’ju pengoj ta shihni identitetin tuaj, identitetin tonë shqiptar dhe afirmimin e tij në çdo dimension të jetës të shtetit ku ju jetoni, si një kauzë mbi të gjtiha kauzat, mbi të gjtiha dasitë, ujditë dhe partitë. Sot është një nga ato momente të jetës suaj si qyteraë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kur askush prej jush, askush i vetëm kudoqoftë me banim në këtë botë dhe çfarëdoqofshin punët dhe hallet që ka, nuk duhet të mungojë në regjistrimin e ri të popullsisë së shtetit të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.

Rama tha se “ky regjistrim bëhet pas shumë vitesh, sepse afati i mëparshëm u hoq qëllimisht nga ata që nuk donin t’ju numëronin dhe që nuk lanë dy gurë bashkë për ta lënduar kauzën e identitetit dhe dinjitetit shqiptar në atë shtet”.

“Ju e dini më mirë se kushdo dhe kush prej jush nuk e di duhet ta mësojë se nga numri i shqiptarëve të regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut varet fuqia Kushtetuese e popullit shqiptar të asaj Republike mbi pjesëmarrjen dhe mbi vendimmarrjen në punët e atij shtetit”, tha Rama.