RTSH 24 Live

Politikë

Rama thirrje opozitës për bashkëpunim: "Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë!"

04/05/2021

Rama thirrje opozitës për bashkëpunim:  "Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë!"

Kryeministri socialist Edi Rama ka përsëritur ftesën për bashkëpunim për opozitën, pavarësisht deklaratave të kreut të saj Lulzim Basha se zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakër zgjedhore, duke lënë të kuptohet mosnjohjen e tyre. "Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja! Mandati ynë i Tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur!" shkroi zoti Rama në rrjetet sociale.
Kreu i maxhorancës së majtë i cili do të drejtoje qeverinë edhe për katër vjet të tjera u shpreh se "Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët! Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë!"