RTSH 24 Live

Politikë

Rama thirrje liderëve europianë: Mos e lini BE të bëhet si një kongregacion priftërinjsh, përfundimi s'do ishte i mirë

23/06/2022

Rama thirrje liderëve europianë: Mos e lini BE të bëhet si një kongregacion priftërinjsh, përfundimi s'do ishte i mirë

Kryeministri Edi Rama, duke e mos e fshehur zhgënjimin e tij nga përfundimet e Samitit të BE në Bruksel, ku nuk u bë asnjë hap para në çështjen e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Tiranën dhe Shkupin, pati edhe një lutje për liderët europianë.

Në një konferencë të përbashkët me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevskin, Rama tha se ata nuk duhet të lejojnë që BE të shndërrohet si një kongregacion priftërinjsh “që flisnin për seksin e engjëjve ndërkohë që muret e Kostandinopojës po shembeshin”

Mos lini që besimi që shqiptarët kanë, sepse ne për herë të parë në histori kemi mundësinë të jemi aty ku duam, për ne Europa është fe, nuk është Brukseli. Shqiptarët do të vazhdojnë. Lutja ime për ta ishte, ju lutemi mos e lini BE të bëhet si një kongregacion priftërinj që diskutonin seksin e engjëjve ndërkohë që muret e Kostandinopojës po shembeshin, e dimë përfundimin dhe nuk është i mirë”, tha Rama.

27 liderët e BE u mblodhën sot në Samitin në Bruksel, por pa prodhuar asnjë rezultat pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpresat ishin të vogla edhe para Samitit, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi që në nisje se nuk kishte pritshmëri.

/rtsh.al/