RTSH 24 Live

Politikë

Rama takon Presidentin e Azerbajxhanit: Vendosëm piketa të rëndësishme bashkëpunimi

08/12/2022

Rama takon Presidentin e Azerbajxhanit: Vendosëm piketa të rëndësishme bashkëpunimi

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Azerbajxhan ku është takuar dhe me presidentin Ilham Aliyev. Në fokus të takimit mes dy liderëve ka qenë bilanci i ecurisë së marrëdhënieve mes dy vendeve. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Rama, i cili thekson se gjatë bisedimeve me presidentin azer, u vendosën piketa të rëndësishme bashkëpunimi. Më tej, kreu i qeverisë ka falënderuar Aliyev për dekretin presidencial të çeljes së ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë.

“Me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për një bilanc të ecurisë së marrëdhënieve pas vizitës së tij në Shqipëri, ku u vendosën piketa të rëndësishme konkrete bashkëpunimi, si edhe për ta falënderuar për dekretin presidencial të çeljes së ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

Kryeministri Rama në vizitën zyrtare në Azerbajxhan shoqërohej nga zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro. Balluku ka bërë me dije se gjatë takimit me Presidentin Aliev, Ministrin e Jashtëm Mammadov dhe Ministrin e Energjisë Shahbazov u diskutuan 3 pika kyçe, siç janë hapja e ambasadave respektive në Tiranë dhe Baku; projekti i gazifikimit të Shqipërisë, duke nisur me Korçën; dhe pjesëmarrja aktive e SOCAR në projektin e integruar rajonal të Vlorës.

Baku - gjatë vizitës zyrtare në takim me Presidentin Aliev , Ministrin e Jashtëm Mammadov dhe Ministrin e Energjisë Shahbazov. - hapja e ambasadave respektive në Tiranë dhe Baku; - Projekti i gazifikimit të Shqipërisë, duke nisur menjëherë me Korçën; - Pjesëmarrja aktive e SOCAR në projektin e integruar rajonal të Vlorës , ishin vetëm tre nga prioritetet strategjike që u vendosën për të avancuar sa më parë. Çështje të tjera ekonomike e diplomatike u panë me interes nga të dy delegacionet për t'u diskutuar më tej në nivel teknik. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit sot janë në nivelin më të lartë dhe premtues për bashkëpunimet e së ardhmes”, shkruan Balluku në rrjetin social Facebook.

Më 15 nëntor Presidenti Aliyev zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u prit me ceremoni shtetërore nga kreu i shtetit Bajram Begaj. Gjithashtu Aliyev u takua dhe me kreun e qeverisë, me të cilin bisedoi për projekte të përbashkëta në fushën e energjisë. Vizita e Presidenti Aliyev në Tiranë shënoi një pikë të rëndësishme të marrëdhënies dypalëshe Shqipëri-Azerbajxhan.

/rtsh.al/