RTSH 24 Live

Aktualitet

Rama publikon pamjet nga Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT: Një nga investimet më të rëndësishme

24/06/2022

Rama publikon pamjet nga Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT: Një nga investimet më të rëndësishme

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook pamjet nga Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT. Rama shkruan se po vijon puna për finalizimin e një prej investimeve më të rëndësishme të shëndetësisë në dekadat e fundit.

“Mirëmëngjes dhe me Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, ku po punohet për të finalizuar një ndër investimet më të rëndësishme të shëndetësisë në dekadat e fundit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme është një tjetër hallkë e zinxhirit të investimeve transformuese të QSUT-së.  Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar më herët se ky spital do të riorganizojë, modernizojë dhe transformojë shërbimet e sëmundjeve të brendshme.

“Ky është një spital prej 26.700 metra katrorë. Urgjenca aktuale transferohet në këto mjedise. Përfshin brenda gjithë repartet e Hemodinamikës dhe të gjithë ndërhyrjeve të urgjencës që janë të nevojshme për t’i patur në një godinë e që sot i kemi në godina të ndryshme. Ky spital do të ketë 370 shtretër dhe në organizmin e tij do të ketë për herë të parë dhe një spital ditor prej 60 shtretërish, që do akomodohet në strukturën e spitalit përballë, të cilat lidhen në mënyrë organike me dy struktura, të cilat janë tashmë finalizuar”, ka thënë Manastirliu.

/rtsh.al/