RTSH 24 Live

Politikë

Rama: “Presidentja e KE, avokate e palëkundur e integrimit të rajonit”

28/09/2021

Rama: “Presidentja e KE, avokate e palëkundur e integrimit të rajonit”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha në konferencën e përbashkët me Presidenten e KE, Ursula von der Leyen, se ndihma e dhënë nga BE, në kohën që Shqipëria u godit nga tërmeti i 26 nëntorit, ishte e madhe.
“Sot mikpresim me një kënaqësi shumë të posaçme, Presidenten e KE, Ursula von der Leyen në një moment të rëndësishëm për ecurinë e Shqipërisë në BE, por edhe për sfidat e përbashkëta të njerëzimit dhe të vetë bashkësive brenda Europës, siç është lufta me pandeminë, beteja me ndryshimet klimaterike që kanë sjellë të reja të padëshiruara për ne në mjedisin ku jetojmë, çka e kemi parë me zjarret kërcënuese që janë shtuar në mënyrë të ndjeshme në të gjithë botën, posaçërisht edhe në këtë pjesë të Evropës. E ndërkohë, për faktin e lajmit të mirë brenda kësaj periudhe vështirësisë së posaçme që është lajmi i rindërtimit, transformimit rrënjësor të kushteve, të gjithë atyre familjeve që u goditën egërsisht nga tërmeti. Besoj që sot e shohin me sytë e tyre se rindërtimi po sjell një cilësi të re në jetën e tyre dhe jetën e fëmijëve të tyre, në një proces që vazhdon e ku hap pas hapi po mbyllen të gjitha plagët e asaj tragjedie të paharrueshme. Në këtë pikë dua të nënvizoj faktin që kjo nuk është vizita protokollare e një prej autoriteteve më të larta të Evropës, por është dhe vizita e një gruaje që është angazhuar personalisht me të gjithë zemër dhe energjitë e saj për ta vënë të gjithë kapacitetin e detyrës që mbulon në mbështetje të atyre familjeve, të atyre fëmijëve, të atyre që dolën shumë të goditur nga tërmeti.
Për këtë arsye, presidentes i takon një falenderim shumë i posaçëm jo thjesht protokollar, por një falenderim vëllazëror dhe i sinqertë për gjithçka ka bërë qysh nga marrja e lajmit për rënien e tërmetit. Është vendosur në lëvizje dhe nuk ka reshtur kur është kurorëzuar përpjekja personale, së bashku me të tjerë udhëheqës në Evropë, për t’ia dalë me sukses të një konference donatorësh që është historike për nga shpejtësia dhe volumi i angazhimeve të mbledhura aty. Kjo nuk ka ndalur, por ka vazhduar me angazhimin e presidentes. Ja ku jemi sot këtu. Kjo është një prej 16 shkollave të ndërtuara me fondet e konferencës dhe posaçërisht nga fondi i dhurimit të KE, kjo është faktikisht një e katërta e shkollave që do të ndërtohen dhe janë në proces ndërtimi. Kështu që, këtu jemi në një vend që është një dëshmi e gjallë e solidaritetit, e frymës së bashkëpunimit, miqësisë dhe vërtetësisë së kësaj marrëdhënieje me BE.  Kemi folur edhe për integrimin, kemi folur për situatën absurde që ndodhe Shqipëria në këtë moment si rezultat i vetos së bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriu, si një pengmarrje , ku vendet i kanë kryer të gjitha detyrat. Von der Lyen është një avokat e palëkundur e procesit dhe është një ndër ata që janë të bindur për natyrën strategjike të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Rama.