RTSH 24 Live

Sport

Rama për futbollin : Bashkitë të mos financojnë më klube futbolli që sjellin vetëm rrugaçëri dhe evazion fiskal!

12/01/2022

Rama për futbollin : Bashkitë të mos financojnë më klube futbolli që sjellin vetëm rrugaçëri dhe evazion fiskal!

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar se bashkitë nuk duhet të financojnë më skuadra futbolli pronarësh privat. Duke folur mbi programin e ri për zhvillimin e sportit, në aktivitetin e zhvilluar me Komitetin Olimpik Shqiptar, zoti Rama ka kritikuar edhe mënyrën se si hidhen lekët në futbollin profesionist, duke thënë se nga këto klube bashkia ka vetëm humbje, si në lek po ashtu edhe në imazh. Kryeministri u shpreh me rezerva mbi gjendjen e futbollit, duke thënë se po harxhohen lekë kot për kampionate që nuk i duhen askujt pasi janë në atë farë gjendjeje.
“Duket qartë se kjo qasje duhet të ndryshojë, pasi nuk mund të vazhdojë bashkia të financojë më klube futbolli, dhe njerëz që sjellin vetëm rrugaçëri dhe evazion fiskal”, thotë ndër të tjera Edi Rama. 
“Kryetarët e bashkive duhet të rishikojnë qasjet me fondet e sportit. Janë bërë disa hapa disi detyrues ndaj tyre, por ato vazhdojnë përsëri të hedhin lekë kot për futbollin. Kot fare, harxhojnë lekët e taksapaguesve për ekipe private pa asnjë arsye në botë. Lekë me humbje që nuk kanë asnjë vlerë" tha zoti Rama.
"Duhet ndërtuar një qasje tjetër, të financoni sportin për fëmijët, në shkollë e në komunitet, e jo të financoni skuadra futbolli pronarësh privat, ku ju vetëm hidhni lekë e nuk merrni mbrapa asgjë, përveç në të shumtën e herës, shpërfytyrimin e turpit të sportit e bashkisë, me imazhe që marrin edhe rrugën e botës siç ndodh rëndom, për shkak se nuk funksionin kështu. Nuk mund të simulohet huliganizmi, rrugaçëria, shëmtia e pisllëku” tha kryeministri.
Sipas tij "bashkitë mund të hyjnë në bashkëpunim me klube futbolli, por duhet të marrin mbrapsht investimin. Nëse bashkitë duan të investojnë seriozisht për t’u bërë pjesë e rritjes së futbollit, të vënë asetet në dispozicion, t’i rikthejnë ato në asete fitimprurëse për veten e tyre. Bashkitë të hyjnë partnere në klube, por në relata sipërmarrjeje”, përfundon fjalimin e tij kryeministri Rama në aktivitetin e zhvilluar me Komitetin Olimpik Shqiptar, kryetarët e bashkive për programin e ri kombëtar të sportit në shkolla dhe universitete.