RTSH 24 Live

Kronika

Rama: "Nuk ka shans që të përmbyset rezultati i një procesi elektoral kombëtar duke blerë vota"

02/03/2021

Rama: "Nuk ka shans që të përmbyset rezultati i një procesi elektoral kombëtar duke blerë vota"
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri socialist Edi Rama deklaroi sot se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit nuk përmbyset duke blerë votat. Zoti Rama i bëri komentet e tij pasi u pyet rreth deklaratave të presidentit Meta, i cili premtoi dorëheqjen dhe vendosjen në krye të opozitës nëse PS fiton në zgjedhjet e 25 Prillit. "Meta fton shqiptarët në referendum, që të zgjedhin mes Ilirit dhe reformës në Drejtësi. Marrëveshja PD-LSI është plan për të lidhur Lulin me zinxhirë për llogari të Metës dhe Berishës. Problem nuk është Iliri, por Luli", tha kryeministri Rama. "Nuk ka shans që të përmbyset rezultati i një procesi elektoral kombëtar duke blerë vota. Nuk ka shans! As fabrika parave të LSI nuk arrin që të përmbys rezultatin kombëtar. Është fabrikë që ka punuar me eficense të plotë në raste të caktuar. S’ka shanse!" tha më tej ai.
Edhe një herë sikurse edhe më parë, zoti Rama u tregua shumë kritik ndaj mediave. "Jam realisht shumë i interesuar që të kuptoj se kur i bëni këto pyetje, se i mendoni vërtetë apo i recitoni se ua thonë pronarët. Se di nëse nuk kam për ta marrë vesh tamam. Është e pabesueshme që ju të bëni këtu prokurorin dhe gjykatësin suprem. Ju keni emra dhe ju keni pretendimin se nuk janë hetuar. Ku e dini ju?! Nga e dini ju? Si e dini ju? Psh, apo ku e dini ju që emrat që ju përmendni janë të përfshirë në diçka që është kriminale?! Si e dini ju? Nga muhabetet e telefonave?! Si mund të bëhet kjo prokurori dhe gjykatë në media me kufje në vesh?! Është habi e madhe" ishin komentet e kryeministrit. "Populli shqiptar në datë 25 do të na japë testin e besueshmërie në dorë të gjithëve" tha ai.