RTSH 24 Live

Rajon

Rama në Sofje : Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të zgjidhin mosmarrëveshjet!

08/06/2021

Rama në Sofje : Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të zgjidhin mosmarrëveshjet!

Kryeministri shqiptar Edi Rama u ka bërë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që të gjejnë rrugën e zgjidhjes së mosmarrveshjeve, ndërsa ka ofruar gatishmërinë e Shqipërisë për ndihmë. Zoti Rama gjendet në Bullgari pas vizitës në Hungaris, ku ka zhvilluar një takim me homologun Stefan Janev. "Mendoj se Bullgaria si anëtare e BE është e pjekur dhe ka gjithçka. I nevojitet për të kujtuar veten, kur gjendej në të njëjtën pozitë. Të nxitë së bashku me Maqedoninë e Veriut për të dalë nga kjo situatë. Kjo është qasja ime për këtë" tha zoti Rama gjatë një konference për shtyp. "Do të thoja që qëndrimi ynë si Shqipëri është qëndrim për të cilin askush nuk duhet të na ketë zili. Jemi mbërthyer, gjendemi mes dy miqve, por gjërat janë këto që janë dhe procesi është i ndërtuar në një mënyrë të tillë, që duhet respektuar ashtu siç është. Nuk jemi këtu për të mbajtur anë, jemi thjesht duke shpresuar e mbështetur faktin që të dyja të flasin e të flasin dhe ta zgjidhin mes tyre. Nëse është nevoja, jemi gati të ndihmojmë, por ndihma jonë është thjesht të vazhdojmë t’iu themi "ju lumtë flisni, komunikoni, gjeni një mënyrë". BE po bën një përpjekje të jashtëzakonshme, të gjithë po përpiqen të mbështesin, por në fund iu takon bullgarëve dhe Maqedonisë së Veriut" tha zoti Rama. 
Zoti Rama është pyetur nga gazetarët për mosnjohjen e Kosovës nga Serbia, duke thënë se kjo e fundit “Duhet ta kishte njohur Kosovën shumë kohë më parë. Çdo ditë që kalon është një ditë më tepër që vonon atë çka është gjëja e duhur për t’u bërë, por shpresoj që përmes dialogut njohja e ndërsjellë do të vijë”.