RTSH 24 Live

Rajoni

Rama në Shkup: Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje që zgjidhet në emër të së ardhmes!

29/07/2021

Rama në Shkup: Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje që zgjidhet në emër të së ardhmes!

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbrojtur në Forumin e Shkupit qëndrimin e njohur të tij se “minishengeni ballkanik” është një nismë strategjike që do të vijojë me këmbëngulje përpara. "Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje që zgjidhet në emër të së ardhmes" nënvizoi zoti Rama. 
"Nuk kemi marrë përsipër të bëjmë një karikaturë ballkanike të BE-së këtu që çohet njëri e thotë "unë vë veton e ju nuk duhet të takoheni", apo çohet tjetri e thotë "vë veton e ju nuk duhet të nënshkruani këtë apo atë". Këtë nuk bëjmë dot! Nuk kemi luksin të humbasim kohë se kemi humbur shumë! Kemi humbur shekuj!" tha kryeministri shqiptar.
“Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt" tha kryeministri shqiptar. "Kush nuk e kupton akoma sesa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona dhe krijuar më shumë punë e hapur perspektivë për vende pune sidomos për të rinjtë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën" tha zoti Rama. 
"Ne nuk duam të jetojmë të shkuarën, por të ardhmen përmes një nisme që nuk shpik gjë të re, por sjell në rajon një shembull kuptimplotë si BE, duke synuar jetësimin e lirinë e lëvijes së njerëzve, mallrave, kapitaleve e shërbimeve" përsëriti zoti Rama idenë e bashkëpunimit.
"Për çfarë arsye në botë duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz ndaj njëri tjetrit siç kemi ndenjur 500 vjet ndërkohë që rrugëtimi i secilit vend ndaj BE-së ka kohën, ritmin dhe kushtëzimin e vet, jo thjesht nga çfarë bëjmë ne, por çfarë mendojnë të tjerët, sepse në fund të ditës në momentin që do të integrohemi në BE do të bëjmë këtë që po bëjmë sot pa BE-në" tha më tej shefi i qeverisë shqiptare.
"Nuk kemi pse presim që integrimin e rajonit, nga pikëpamja e 4 lirive të Europës ta bëjmë pasi të hyjmë në BE. Ne duhet ta bëjmë e do ta bëjmë tani. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është nismë ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut. Kjo është nismë e hapur për të gjithë e cilido që do të na bashkohet të na bashkohet, por nuk mund të presim konsensus për t'u takuar nga të gjithë. Nuk mund të presim!" tha zoti Rama.
Duke konkretizuar idetë e tij zoti Rama tha se "Kemi qëllim që brenda vitit të ardhshëm i gjithë sistemi ynë i qarkullimit të jetë i njehsuar me BE për pagesat e TVSH-së". "Kemi rënë dakord që do të fusin sistemin e integruar të informacionit mes vendeve tona". "Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje që zgjidhet në emër të së ardhmes" nënvizoi zoti Rama.