RTSH 24 Live

Politikë

Rama në Londër: Nëse Rusia pushton Britaninë, do ju mbrojmë nga Putin dhe Braverman

24/03/2023

Rama në Londër: Nëse Rusia pushton Britaninë, do ju mbrojmë nga Putin dhe Braverman

Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare ka deklaruar se ka spekulime lidhur me të dhënat e shqiptarëve që shkojnë drejt Britanisë së Madhe përmes La Manshit.

Rama u shpreh se një pjesë e madhe e shqiptarëve që drejtohen drejt Mbretërisë së Bashkuar, janë nga Greqia.

“Kur bëhet fjalë për Britaninë kjo lidhet me një lidhje me bazë familjare dhe zonash. Këta janë shqiptarë që vijnë nga verilindja e vendit ku lidhjet mes familjeve, fqinjëve janë të forta. Nga ana tjetër ka shumë paqartësi dhe spekulim për të dhënat, nuk është thjesht e pavërtetë që këta njerëz vijnë nga Shqipëria, kjo është teorikisht dhe artimetikisht e pamundur, ata janë shqiptarë që vijnë dhe nga vende të tjera, kryesisht nga Greqia”, tha Rama teksa bëri me dije se aktualisht Shqipëria po përballet me shifra në rritje të shqiptarëve që po kthehen në vendin e tyre pas emigrimit. Kryeministri tha se në 2022-ish, numri i kthimeve ishte në 25%, dhe kjo shifër sipas tij, është pozitive.

“Është tjetër gjë sa njerëz e realizojnë dhe sa kthehen. Ajo me të cilën po përballemi është dhe një rritje e kthimeve. Është ende shumë negative mes ardhjeve dhe ikjeve. Por kthimet në 2022 ishin 25%. Kjo është diçka e mirë se njerëzit që kthehen vijnë me një përvojë dhe mendësi tjetër. Ata e dinë se nuk është parajsa që kishin menduar”, shtoi Rama.

Pyetur lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe një afat se kur mund të ishte e mundur kjo gjë, Rama u shpreh se nuk mund të parashikonte asgjë. Ai theksoi se askush nuk e di se kur mund të ndodhë anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ndërsa shtoi se, pjesa që mund të bëjë vendi ynë, është përmbushja e të gjitha detyrave të shtëpisë.

Duke bërë batutë, Rama tha se “Nëse rusët do pushtojnë Britaninë, ejani te ne se do ju mbrojmë nga Putin dhe Suella Braverman. Kjo është e sigurt, do e shihni. Do ju mbrojmë”.

Të anëtarësohemi në BE? Po më kërkoni të shoh globin e kristalit? Të parashikoj të ardhmen që është e pamundur, sepse dhe BE nuk di gjë për këtë. Askush nuk e di. Pjesa e thjeshtë dhe më ë vështirë për ne, është që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë”, theksoi ai.

/rtsh.al/