Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh për qytetarët nga Dhërmiu ku ka zgjedhur të pushojë edhe këtë vit, sikurse ka bërë përgjatë 10 viteve të fundit.
Kreu i qeverisë bëri me dije për publikun e gjerë shifrat e hyrjeve nga Aeroporti i Tiranës dhe kufiri i Morinës.
Rama deklaroi se nga Aeroporti Nënë Tereza kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, me një rritje prej 350 mijë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Këto shifra, sipas kreut të qeverisë, “u mbyllin gojën” të gjithë atyre që flasin për zbrazjen e Shqipërisë.
“Ca ditë pushim si gjithnjë prej 10 vitesh këtu në Dhërmiun magjik.
Mbrëmë mora të dhënat e hyrjeve në Shqipëri nga Aeroporti Nënë Tereza dhe kufiri i Morinës dhe mu duk e udhës që t’i ndaj me ju.
Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë. Mbi 350 mijë më shumë se sa vjet.
Madje këtë korrik është thyer dhe një rekord tjetër ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës e pa imagjinueshëm deri pak vite më parë.
Fatmirësisht për shifrat e Aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë: u zbraz Shqipëria edhe nga shqiptarët e turistët. Sepse Aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit evropian për rritjen relative me vitet paraardhëse. Ndërsa në vlerë absolute numër pasagjerësh për numër pasagjerësh Tirana ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit I cili historikisht ka qenë I pari dhe absolut në këtë rajon”, tha Rama.
Ky i fundit vijoi më tej edhe me shifrat e hyrjeve nga kufiri i Morinës ku bëri me dije se kanë hyrë 175 mijë më shumë automjete se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rama i konsideroi teoritë e braktisjes së Shqipërisë nga shqiptarët e Kosovës, si një zero me xhufka.
“Edhe shifrat e Morinës që I tregon regjistri elektronik i pagesës së autostradës, ku lexohet çdo hyrje, tregojnë se gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë se vjet, kurse në korrik 3 mijë më shumë se korrikun e shkuar.
Teoria keqdashëse e përhapur këtë sezon me disa teori të tjera për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë, është zero me xhufka”, theksoi ai.
Më tej, kryeministri u ndal edhe te të ardhurat nga doganat e tatimet, ku theksoi se kanë regjistruar rritje krahasuar me vitin 2023. Sipas tij, Shqipëria do jetë kampione e padiskutueshme e turizmit në rajon.
“Nga ana tjetër janë shifrat e të ardhurave nga doganat e tatimet që edhe ato janë me rritje krahasuar me vjet. Më shumë njerëz që shpenzojnë këtu në Shqipëri.
Shqipëria do jetë kampione e padiskutueshme e turizmit në rajonin tonë”, përfundoi Rama.
/rtsh.al/