RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Industria e turizmit po përballet me mungesën e krahut të punës, biznesi privat të rrisë pagat të shmang këtë gjë

28/05/2023

Rama: Industria e turizmit po përballet me mungesën e krahut të punës, biznesi privat të rrisë pagat të shmang këtë gjë

Shqipëria është kthyer në një nga pikat turistike mjaft të pëlqyera për turistët e huaj, ku gjithnjë e më shumë me mijëra vizitojnë vendin gjatë gjithë viti. Nga Gjirokastra, kryeministri Edi Rama tha se vendi duhet të shfrytëzojë të gjitha resurset e saj për të zhvilluar turizmin dhe të ofrojë shërbime cilësore.

Një nga problemet që po përballet industria e turizmit në vendin tonë është mungesa e krahut të punës, dhe për këtë Rama tha se biznesi privat duhet të rrisë rroga pasi “Shqipëria nuk konkurron më për krahun e lirë të punës, por për shërbime cilësore”.

Një foks të veçantë, Rama e vuri edhe tek rritja e aktiviteteve kulturore për përthithjen edhe më të madhe të turistëve.

“Sfidë është të plotësojmë me forca pune industrisë që duhet t’i përgjigjet turistëve. Sfida është plotësimi i vendeve të punës, jo krijimi i tyre. Bizneset duhet të vrapojnë për të rritur pagat, pasi niveli i fitimeve të tyre është shumë më i lartë nga sa thuhet dhe pjesëmarrja ne punësim do jetë më e lartë me rritjen e rrogave. Do vij dita që bizneset do rrinë një ditë me duart lart nga qielli, pasi Shqipëria nuk konkurron më me krahun e lirë të punës, por me shërbime cilësore. Të investojmë më shumë tek aktivitetet kulturore pasi sjellin më shumë njerëz. Gjirokastra do të jetojë dhe zhvillohet me turizmin”, tha Rama.

Gjatë takimit me këshilltarët socialistë të zgjedhur më 14 maj në Gjirokastër, Rama tha se të gjithë qytetarët duhen dëgjuar dhe se vota dhe besimi i tyre të shpërblehet me punë të mira.

Më herët kryeministri vizitoi edhe qendrën e re të grumbullimit dhe përpunimit të bimëve medicinale në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Rama tha se kjo është një mundësi e re për shfrytëzimin e pasurive natyrore të zonës.

“Ne këtë sh.p.k që keni krijuar ju duhet ta fuqizojmë me çdo kusht, t’i japim mbështetje që edhe të shohin të tjerët dhe të bashkohen dhe që të bëhet një industri e lehtë e qëndrueshme dhe t’i japë të ardhura gjithë zones.”, tha Rama.

/rtsh.al/