RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Holanda kuptoi seriozitetin tonë, ne kritikat e saj! Rutte: Shqipëria duhet të jetë në BE, Open Balkan e përshpejton këtë

04/07/2022

Rama: Holanda kuptoi seriozitetin tonë, ne kritikat e saj! Rutte: Shqipëria duhet të jetë në BE, Open Balkan e përshpejton këtë
Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri holandez Mark Rutte

Nga një marrëdhënie me qëndrime skeptike dhe nervoze, Shqipëria dhe Holanda duket se kanë gjetur gjuhën e tyre të ‘dashurisë’ dhe forcimit të bashkëpunimit mes tyre që lidhen me procesin e integrimit në BE dhe marrëdhëniet dypalëshe. Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Amsterdami, kryeministrat Edi Rama dhe Mark Rutte nuk i kursyen fjalët miqësore mes tyre, qëndrimet e përbashkëta për luftën në Ukrainë si dhe theksuan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE.

Kryeministri i Holandës Mark Rutte mbështeti fuqimisht integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa tha se e vetmja zgjidhje për të hequr bllokim që po krijon Bullgaria është pranimi i propozimit francez nga Shkupi Zyrtar.

 “Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Holandës për integrimin në BE, problemi këtu qëndron te Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Ne mbështesim propozimin francez për heqjen e pengesave që po pengojnë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Propozimi trajton  të gjitha shqetësimet e mbetura. Shpresojmë që ky propozim të ketë mbështesje të gjerë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Diskutuam nismën franceze që nuk është alternativë ndaj anëtarësimit por diçka e bashkëlidhur që është një ide më vete dhe nuk ka të bëjë me zgjerimin dhe BE në vetvete por për vendet që nuk janë ende pjesë e BE se si mund të punojmë së bashku për çështjet që duhet të punojmë së bashku”, tha Rutte.

Teksa vlerësoi punën që ka bërë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sistemin në drejtësi, Rutte shprehu mbështetjen dhe për nismën e Ballkanit të Hapur duke thënë se kjo do të ndihmojë në përshpejtimin e rajonit në BE sidomos në punë që lidhet me disa kapituj.

“Holanda dhe Shqipëria janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për Ukrainën. Është forcuar drejtësia, policia, lufta kundër korrupsioni dhe rreziqeve kibernetike dhe jemi të impresionuar nga zhvillimet që janë bërë kohët e fundit në Shqipëri. Miqësia mes të dyve është e jashtëzakonshme dhe vizita sot do të jetë një mundësi për ta zhvilluar më tej. 'Ballkani i Hapur' dhe nisma të tilla kërkon lidership, dhe drejtuesi më me përvojë që ka marrëdhënie të mira me të gjithë është ky burri që ka ditëlindjen. Kjo nismë ka ecur përpara është pozitive, do e rekomandoja që shumë vende të diskutojnë çështjet e interesit të përbashkët, për të ecur në një strukturë të përbashkët ekonomike dhe kjo përshpejton edhe anëtarësimit dhe që tensionet të mos bëhen të papërballueshme", tha Rutte.

Edhe kryeministri Edi Rama vlerësoi marrëdhëniet me homologun Rutte, ndërsa rikujtoi kohët kur Holanda bllokonte integrimin e Shqipërisë. Rama tha se Holanda e kuptoi seriozitetin e Shqipërisë për të plotësuar detyrat e saj dhe se Shqipëria kuptoi skepticizmin e Holandës dhe se palët po punojnë që të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin dypalësh.

“Qëndrimi i tyre i rreptë ishte nervozues për një farë kohe por bashkëpunimi ynë tregoi se për çfarë ishte dhe përmes programeve të tyre çoi përpara reformën në drejtësi dhe kuptuan se Holanda ishte serioze lidhur me skepticizmin e saj. Edhe Holanda e kuptoi se dhe ne ishim serioz në përmbushjen e detyrimeve tona. Këtij raporti dypalësh ne shohim më shumë nga Holanda në vendin tonë. I jam mirënjohës Markut për përpjekjet e tij për të afruar Ballkanin Perëndimor më shumë drejt Europës.  Marku më mësoi se mund ta dashurosh Europën, por është një dashuri e ashpër”, tha Rama.

/rtsh.al/