RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Hipoteka e Vlorës është turpi i PS-së, duhet reflektim! Koha që partia të hapet për prurje të reja

27/05/2023

Rama: Hipoteka e Vlorës është turpi i PS-së, duhet reflektim! Koha që partia të hapet për prurje të reja

“Hipoteka e Vlorës është një turp i PS-së”, kështu deklaroi kryesocialisti, njëherazi edhe kryeministri i vendit, Edi Rama teksa bëri thirrje për reflektim.

Nga qyteti bregdetar, në vazhdën e turit falënderues pas fitores së thellë të PS-së në zgjedhjet vendore, Rama u shpreh se partia nuk mund të jetë instrument i përfitimeve të një grupi njerëzish.

Hipoteka e Vlorës është turpi i PS-së. Këto shembuj na vlejnë jo për të thënë që nuk kemi punë, por ato gjëra që janë bërë keq të mos bëhen më keq dhe njerëzit e këqij të mos kenë askund ku PS përfaqësohet. Është e rëndësishme që në partinë e Vlorës të bëhet një reflektim për këtë, të mos jetë instrument i përfitimeve të një grushti njerëzish apo rruga që disa të bëjnë parakalime me kokën lart”, tha Rama.

Ai shtoi se PS do të hapet si asnjëherë më parë për të bërë pjesë të saj prurje të reja me njerëz të të gjitha moshave.

“PS ka hyrë në një fazë të re dhe duhet ta kuptojmë këtë si një nevojë për t’u hapur si asnjëherë më parë për prurje të reja të gjitha moshave dhe pa asnjë paragjykim. Koha të kalojmë në një fazë ku nga asnjë parti politike të jemi një komunitet i madh ku ka vend për të gjithë dhe të ndihen të përfaqësuar edhe ata që nuk na kanë dhënë votën”, deklaroi Rama.

/rtsh.al/