RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Finalizohet investimi për Portin Turistik të Durrësit

10/08/2022

Rama: Finalizohet investimi për Portin Turistik të Durrësit

Finalizohet investimi për Portin Turistik të Durrësit. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, ky proces ka qenë një punë intensive negociatash, diskutimesh, madje, në ndonjë rast, edhe krisjesh në proces me El Alabbar.

“Jemi gati të nënshkruajmë protokollin e bashkëpunimit që i hap rrugë fillimit të investimit për Portin më të Madh të Mesdheut. Skuadra jonë nënshkruan për herë të parë një kontratë të këtyre përmasave. Bëhet fjalë për një vullnet që buron nga një miqësi e posaçme mes princit, Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ishte vullneti i Princit të Kurorës, i cili u dakordësua gjatë vizitës që ne patëm atje, për ta bërë këtë. Tha do ju çoj më të mirin. Sot jemi në kushtet kur po e nënshkruajmë një memorandum dhe përgjigja më e mirë për të gjithë ata që kanë spekuluar dhe për ata që nuk kanë lënë gjë për të thënë për këtë project, që nuk do të ndryshojë vetëm Durrësin, por të gjithë bregdetin shqiptar. Efekti i portit turistik do të jetë spektakolar. Nuk është çështja e 12 mijë vendeve të reja pune, nuk është për sjelljen e 1000 jahteve, nuk është fjala për hotelet, baret, restorantet, teatrot apo rezidencat që do të ndërtohen aty. As për faktin që me ndërtimin e këtij porti, rritet vlera e pasurisë së të gjtha qytetarëve të Durrësit se njerëzit do të duan të blejnë e shesin shumë më tepër. Do të rritet vlera e pronave në vijë bregdetare. Këtu është fjala për imazhin komplet tjetër që do të ketë Shqipëria turistike në Evropë. Nëse sot pagat në Malin e Zi janë më të lartat në rajon, është rezultat i një rruge nga Port of Montenegro”, tha Rama.

Edhe investitori Muhammed El Alabbar, ka folur për nënshkrimin e memorandumit për ndërtimin e Portit Turistik të Durrësit, duke theksuar se do të krijojnë diçka madhështore, “nga e cila do të mahniten njerëzit e nuk do të duan të largohen”.

“Kemi pasur shumë pika për të cilat kemi diskutuar, por do ta quaja një kohë mjaft të vështirë. Mendoj se ekipi i qeverisë ka përgjegjësinë, detyrën për të bërë më të mirën për qeverinë dhe mendoj se ka bërë punë të mirë. Ajo çfarë është e jashtëzakonshme është se i ka sjellë kaq pranë Shqipërinë dhe Emiratet Arabe. Madhëria e tij është i lumtur. Shpresojmë që është fillesa e bashkëpunimit. Nëse dikush na pyet se për cfarë është e gjitha kjo, ju them se është për krijimin e një jete të re. Ne do të krijojmë diçka që njerëzit kur të vijnë, do të duan të mos largohen kurrë. Këtë jua premtoj. Do të marrim mendjet më të mira që të krijojmë një jetë të bukur. Mendoj që motori ekonomik shqiptar I’a vlen. Shifrat janë shumë të larta të turizmit. Për mua personalisht është kaq privilegj që unë të marr pjesë e të vë në punë pasionin dhe dashurinë time për krijimin e kësaj jete në Shqipëri dhe Durrës. Ju premtoj se nuk do ju zhgënjej kurrë”,- tha Muhammed El Alabbar.

/rtsh.al/