RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Duam drejtësi evropiane, jo si në Rusi, me vendim të formës së prerë, jo me paraburgim pa gjyq

4 orë para

Rama: Duam drejtësi evropiane, jo si në Rusi, me vendim të formës së prerë, jo me paraburgim pa gjyq

Kryeministri Edi Rama, në një takim të zhvilluar të enjten me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 në kryeqytet, ka pasur në fokus edhe drejtësinë.

Sipas tij, Partia Socialiste është e para forcë politike në pushtet në Shqipëri, që e ka hequr drejtësinë nga duart e pushtetit politik.

“Këtë e bëmë sepse kemi dashur që më në fund, Shqipëria të futej në sprovën e një drejtësie të pavarur, që nuk e ka pasur kurrë. Që të kemi një drejtësi të pavarur, e cila të luftojë me hajdutët edhe brenda nesh”, tha Rama.

Sipas tij, qëllimi i PS-së nuk ka qenë asnjëherë se si të mbajë pushtetin dhe si të mbulojë njerin e tjetrin.

Rama tha se qëllimi i PS-së ka qenë dhe mbetet të bëjë histori duke e bërë Shqipërinë anëtare të BE-së dhe duke i dhënë një shans brezave që vijnë mbrapa që të kenë një drejtësi të pavarur.

“Nuk e ka pasur kurrë Shqipëria nga vitit 1912  deri në 2009 një rast të vetëm që një ministër, një njeri me pushtet të merret nga një prokuror e gjykatës i pavarur, që të hetohet e gjykohet, lëre pastaj të bëhet telenovelë në të gjitha llojet e mediave edhe të linçohet, në ndonjë rast pa gjyq duke qenë i zgjedhur”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në këtë proces ka gjëra që nuk shkojnë fare, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptar ”duan drejtësi evropiane dhe jo si në Rusi”.

“Për 5 vjet, unë i pari dhe gjithë të tjerët kemi shtrënguar dhëmbët e mbyllur gojën, sepse pavarësia ka qenë kryesorja për të na garantuar pavarësinë. Por nuk është vetëm pavarësia, është edhe profesionalizmi, standardi demokratik. Ne duam drejtësi evropiane dhe jo si në Rusi, me vendim të formës së prerë, jo me paraburgim, pa gjyq”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se kjo është një betejë që socialistët e kanë barrë ta bëjnë, por duke garantuar vazhdimësinë, pavarësinë, paprekshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Një parti si e jona, që dy mandate ka qeverisur e vetme, i thotë drejtësisë: “Dil e pavarur dhe ja ku më ke, ha trupin tim nuk ka problem, por rëndësi ka që të gjithë të bëhen të barabartë para ligjit, edhe sikur ti të kafshosh gabimisht”. Por kafshimet gabim të drejtësisë janë tragjedi, megjithatë nuk ka një rrugë tjetër”, tha Kryeministri.

Ndërsa theksoi se barra e provës i takon atij që akuzon jo, atij që akuzohet, Rama solli në vëmendje edhe parimin se të gjithë janë të pafajshëm derisa provohet përtej çdo dyshimi që është i fajshëm.

“Nuk është parimi ‘të gjithë janë të fajshëm’, se këtu është bërë ‘të gjithë janë hajdutë, kriminelë’ e kështu e me radhë. Nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të na mundur, nuk na mundin dot dhe sot ulërijnë lloj-lloj speciesh të kënetës politike dhe mediatike se ne po kërcënojmë SPAK, jemi rrezik për SPAK”, tha Rama.

Rama tha se “bufi i kënetës”, me zhabat dhe zhapikët e vet, vazhdon çon denoncime te SPAK.

“Nëse drejtësia është ndëshkim dhe tek shpata rolin kryesor e ka Prokuroria, por drejtësia nuk është vetëm shpatë, është edhe peshore. Dhe Zonja e Drejtësisë, që është simboli i vjetër i drejtësisë, sytë i ka të fashuar sepse duhet që drejtësia të jetë e verbër, në kuptimin që nuk duhet të shohë kush është më i gjatë e më i shkurtër, statusin social më të lartë e më të ulët. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe në peshore vihen provat. Shpatën sot drejtësia e ka se ia dhamë. Ishte shpata me të cilën pushteti i rrinte mbi kokë drejtësisë. Ne nuk kemi shpatë. Drejtësia e ka shpatën, por duhet edhe peshorja, duhen edhe sytë e mbuluar”, tha Rama, teksa komentoi sërish figurën simbolike të drejtësisë.

 /rtsh.al/