RTSH 24 Live

Politikë

Rama dhe Varhelyi në Konferencë të përbashkët: Karta jeshile dixhitale e rajonit të njihet nga BE!

10/06/2021

Rama dhe Varhelyi në Konferencë të përbashkët: Karta jeshile dixhitale e rajonit të njihet nga BE!

Kryemninistri Edi Rama deklaroi sot se vendet e Ballkanit do të kërkojnë nga Bashkimi Europian që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të njihet në gjithë vendet europiane në mënyrë që të lëvizin lirisht. "Ne siç e dini brenda rajonit, por përpara dy ditësh edhe me Hungarinë në mënyrë bilaterale kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë në periudhën post-pandemie pa detyrime ekstra, teste e historira të tjera. Sot të gjitha vendet i kanë paraqitur KE dhe BE kërkesën që karta e gjelbër dixhitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë, në aspektin tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në gjithë BE dhe edhe ne të lëvizim lirisht në BE", tha kryeministri Rama gjatë një konferencë të përbashkët për mediat me Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi pas Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Tiranë. 

Kryeministri Edi Rama kërkoi njohjen e reformave të vendeve ballkanike nga BE në të njëjtën kohë që vendet bien dakort edhe për bashkëpunim mes tyre për fondet e investimit të BE-së. Duke adresuar së pari Shqipërinë për pritmërinë e vendimit të Këshillit europian, kryeministri tha se Tirana Zyrtare, por edhe vendet anëtare nuk shohin gjë penguese, përveç bllokimit të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria.

Në fjalën e tij, komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi tha se  bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor sjell një plan prej 30 miliardë euro në formë investimesh, plan i cili do të financohet nga BE. Marrëveshja u arrit javën e shkuar në Këshillin Evropian."Ne jemi të gatshëm që të ri-konfirmojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë që e kemi vënë në tryezë me planin ekonomik dhe të investimeve, një plan që e kemi treguar që në vjeshtë që mobilizon një të tretën PBB-së së rajonit. Pothuajse 30 mld euro në formë investimesh që do të vijnë në rajon. Ky plan nuk ka për të funksionuar në rast se vetë rajoni nuk funksionon si një i tërë, në rast se nuk kemi një treg rajonal.", tha Varhelyi.

Nga Tirana ku po mbahet samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi nënvizon se ky vit mund të mbajë emrin e këtij rajoni për angazhimin që po tregon Bashkimi Europian."Ne po hyjmë në muajin qershor që është një muaj kritik për Ballkanin Perëndimor, kemi shumë çështje në tryezë. Ne dëshirojmë që të zhvillohen konferencat ndërqeveritare me Serbinë dhe Malin e Zi që ato të vazhdojnë negociatat e tyre të anëtarësimit.  Po ashtu dëshirojmë që të zhvillohen konferencat ndërqeveritare  me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne po punojmë vërtet fort, edhe në këto momente, pas kuintave. BE dhe KE janë të përkushtuar të gjejnë zgjidhje, por është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Ne duam që kjo gjë të ndodhë", tha komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi