RTSH 24 Live

Aktualitet

Rama: Basha-Meta lojë politike me të vdekurit e COVID

21/11/2020

Rama: Basha-Meta lojë politike me të vdekurit e COVID
Kryeministri Edi Rama ne nje mesazh drejtuar popullit

“Kjo luftë është një provë karakteri për të gjithë”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në një mesazh drejtuar shqiptarëve pas akuzës së opozitës për fshehjen e numrit të të vdekurve nga COVID-19.

“Vendosa t’ju drejtohem sot me këtë fjalë, duke ju parë të gjithëve në sy pa dallim, si njeri prej jush, si shqiptar mes shqiptarësh, që ndryshe nga të gjithë ju dhe falë jush të gjithëve, kam nderin e pashoq dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme të jem në krye të punëve të vendit në kohën e një sprove kaq të pashembullt të kësaj përballje me kërcënimin ndaj shëndetit dhe vetë jetës sonë. Kjo është një sprovë e përbotshme e cila prej 9 muajsh po sfidon egërsisht të gjitha shtetet, sistemet shëndetësore, njerëzit pa dallim kombësie dhe shtrese shoqërore”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “kjo është një sprovë e jashtëzakonshme për shkencën, mjekësinë, politikën, qeverisjen pa tjetër, dhe mediet sigurisht”.

Por mbi të gjitha, vijoi ai, “kjo është një sprovë për karakterin e kombeve, shoqërive dhe individëve, pavarësisht gjuhës, ngjyrës, gjinisë apo bindjeve e opinioneve të ndryshme”.

“Këtë sprovë, ashtu si edhe sprovën e përballimit me pasojat e rënda të tërmetit të një viti më parë, ne shqiptarët nuk e kemi zgjedhur, por jemi të sfiduar ta përballojmë me forcën e karakterit tonë. Askush nuk mund të fajësohet se vendi e populli goditen nga një tërmet apo një pandemi. Por mënyra e reagimit ndaj goditjeve të tilla tregon se kush jemi secili prej nesh, si njerëz, si qytetar, si bashkësi e gjendur në një agresion të një fuqie jashtë nesh”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “tërmeti godet fort në një kohë tejet të shkurtër dhe lë pas pasojat në një kohë të gjatë sprove të rimëkëmbjes”.

Ndërsa virusi, tha ai, “godet nga pak, por në një kohë të tejzgjatur dhe pasojat sprovojnë përditë e përditë rezistencën tonë si individë, si qytetarë dhe si bashkësi”. Por në të dyja rastet, Rama tha se del në pah karakteri ynë jo vetëm si popull e si familjarë, por dhe si zëdhënës publik në medie e politikë dhe patjetër edhe si udhëheqës po ashtu.

“Unë jam sinqerisht krenar për se si ne si popull kemi reaguar në të dyja rastet dhe për se si njerëzit në shumicën e tyre dërrmuese janë bashkuar, qoftë duke ndihmuar fatkeqët e 26 nëntorit të shkuar, qoftë duke bërë pjesën e tyre të sakrificës në këta muaj kaq të gjatë përballje me virusin që po sprovon mbarë botën. Ashtu sikundër jam shumë krenar, si Kryeministër, për se si forcat e këtij shteti janë vënë në dispozicion të njerëzve në nevojë që nga mijëra djem e vajza, gra e burra të Forcave të Armatosura, të atyre të Policisë, të Urgjencës Kombëtare dhe të strukturave Civile pas goditjes nga tërmeti, deri tek forcat e sistemit tonë shëndetësor. Që nga bluzat e bardha në vijën e zjarrit, tek çdo ekspert e strukturë e deri tek çdo mjek familjeje pa harruar edhe Ministrinë tonë të Shëndetësisë dhe Ministren tonë të Shëndetësisë, gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë nën goditjen e armikut të padukshëm”, tha Rama.

Por gjithashtu, ai theksoi se “jam shumë i keqardhur që kjo dalje ime sot u provokua nga krejt e kundërta e karakterit të fortë dhe e virtyteve që e kanë  karakterizuar pozitivisht përballjen shqiptare me dy të këqijat e mëdha të një viti të tërë”.

“Teksa shumica dërrmuese e këtij populli po bën më të mirën e vetë në këto kushte kaq sfiduese, një pjesë tjetër një pakicë e zhurmshme qëndron mënjanë, bën sehir, shan, akuzon. Gjuan përditë me gur në drejtim të kujt rri pa gjumë, lufton, shërben, sakrifikon çdo ditë në frontin e kësaj lufte të pambarimtë nervash. Që nga ata që u qëndrojnë në kokë të sëmurëve për të shpëtuar sa më shumë jetë nga kthetrat e këtij virusi të pabesë, deri tek ata që ndihmojnë këtë luftë nga çdo pozicion ku kontribuojnë”, tha Rama.

“Hiqmëni mua nga kjo radhë e gjatë njerëzish që po bëjnë të pamundurën. Nuk jam këtu për t’u ankuar për baltën dhe për pështymat që marr përditë prej pakicës së zhurmshme. As nuk ankohem ndonjëherë për veten, sepse mua personalisht të sharat e panumërta të çdo lloji që më adresohen, besojeni ose jo, më bëjnë thjesht më të fortë dhe realisht më japin më shumë energji për t’i udhëhequr betejat tona në çdo fushë. Thonë që ‘nuk i dua kritikat dhe mendoj se kam gjithnjë të drejtë’. Është thjesht e pavërtetë, por sidoqoftë ka një ndryshim të madh si dita me natën mes kritikave dhe sharjeve e shpifjeve. Këto të fundit ma ndezin gjakun mbase më shumë seç duhet kur më duhet të përballem publikisht me sharësit e me shpifësit. Shumëkush ma quan arrogancë, nuk e di ndoshta. Por ndoshta duhet ta shohin edhe si shprehje të pasionit të madh që më mban në këtë detyrë pa pushim dhe pa orar, pasionit të madh për punën që më është besuar dhe për Shqipërinë që dua për të gjithë fëmijët tanë”, tha Kryeministri.

“Nuk mund të jemi rasti unikal në Europë ku qeveria lufton orë e çast me gjithë çka mundet kundër COVID-it për të mbrojtur çdo jetë shqiptare dhe opozita bashkë me Presidentin bëjnë aleancë me COVID-in për të rrëzuar qeverinë, duke nxitur panikun dhe ushqyer ankthin, pasigurinë frikën në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe duke shpërndarë fotografi klandestine nga morgu i spitalit”, deklaroi Rama.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se “ne mund të kemi opinione të ndryshme për punët dhe ngjarjet, kjo quhet demokraci”. Por të shash dhe të shpifësh nuk është as çështje opinionesh të ndryshme dhe as lulëzim i demokracisë”. Patjetër që edhe në mes të një lufte si kjo, tha ai, mund të kemi opinione të ndryshme për shumëçka, por ne nuk mund të ndahemi politikisht edhe për numrin e të vdekurve, apo të bëjmë politikë deri edhe me inskenime fotografike nga morgu i spitalit, kjo nuk është më demokratike por është haptazi jo njerëzore”.

“Patjetër që edhe në mes të një lufte si kjo mund të sfidohet jo vetëm qeveria po e po, por edhe ekspertiza e komisionit shkencor të vënë në dispozicion me përballjen me armikun e padukshëm. Po nuk mundet që deri edhe Presidenti i Republikës të krijojë komitetin e tij alternativ edhe opozita të krijojë komitetet e veta alternative, ku njëri komitet thotë qeveria të blejë maskat për çdo qytetar që të mbrohet nga virusi, ndërsa komiteti tjetër të thotë virusi nuk ekziston dhe qytetarët të shkojnë në kisha e xhamia për t’u lutur kundër qeverisë. Kjo nuk është demokratike, por është haptazi papërgjegjshmëri jo njerëzore. Patjetër që edhe në mes të një lufte si kjo, ne mund të ndahemi për rrugën se si duhet mbështetur ekonomia, kjo madje mund të ishte edhe e shëndetshme, nëse sharjet dhe shpifjet nuk do të shoqëronin në vend të argumenteve çdo plan alternativ me 3, me 5 apo me 7X7 pika”, theksoi Rama.

Kjo nuk është as demokratike, as shqiptare, deklaroi Rama, por është haptazi jo njerëzore. “Ashtu siç nuk është as demokratike por as shqiptare, por haptazi jo njerëzore që në kulmin e kësaj lufte, kur vala e dytë po trondit mbarë botën me rritjen e rrufeshme të numrit të të infektuarve të bësh përditë politikë me lajme të rreme, deri edhe për të vdekurit”, tha ai.

Më tej, Kryeministri shtoi se “sot kur pesha e ngarkesës mbi sistemin shëndetësor të çdo shteti po arrin në kufijtë e të papërballueshmes dhe kur barra mbi shpatullat e mjekëve dhe të infermierëve po prek kufijtë e mbinjerëzores, të dalësh e t’i thuash popullit që qeveria po fsheh numrin e të vdekurve, do të thotë të kapërcesh çdo kufi të demokracisë, madje edhe çdo kufi të luftës më të çartur për pushtet”.

Sipas tij, kjo është brutalisht çnjerëzore. “Si mund të arrihet deri këtu sado i dobët qoftë karakteri i një lidershipi politik. Si mund të ngacmohet deri në këtë pikë psiqika e një populli nën agresionin e një sëmundje që kërcënon njerëzit e dashur në çdo familje. Si mund të kërcënohet deri në këtë farë feje integriteti njerëzor, jo thjeshtë profesional i një  armate të tërë mjekësh që prej 9 muajsh janë të detyruar të harrojnë familjen e tyre, fëmijët e tyre, prindërit e tyre, për të qëndruar te koka familjeve, fëmijëve, prindërve të çdo njërit prej nesh. Si mund të bjerë kaq poshtë qenia politike sa të shkelë harbutërisht qenien njerëzore brenda saj dhe të provokojë deri në palcë çdo familje, që në këtë kohë të mallkuar fatkeqësisht ka humbur një të dashurin e vet, e të fusë tmerrin në çdo familje që ka dikë të prekur nga ky virus vrastar. Si mund të flihet më gjumë pasi arrin të nxjerrësh nga goja një të tillë makabritet duke trajtuar një popull të tërë si një fuqi të verbër e cila duhet nxitur deri në fund drejt hakmarrjes ndaj atyre që sipas kësaj pandehme çnjerëzore, përdorkan pushtetin për të manipuluar numrin e të vdekurve”, u shpreh Kreu i Ekzekutivit.

“Ky nuk është karakteri i këtij vendi. Ky nuk është karakteri i këtij populli, dhe as i politikës në vetvete dhe asesi karakteri i shumicës që qeveris sot këtë vend”, nënvizoi Rama, duke shtuar se “ky është një manifestim ekstrem i atij lloji karakteresh të dobëta që në krejt historinë tonë kanë bërë dëme të mëdha në kohëra vendimtare dhe e kanë penguar Shqipërinë dhe popullin shqiptarë të marrë frymë lirisht, duke u shfaqur gjithnjë në momentin dhe vendin e gabuar me të gjithë papërgjegjshmërinë e dobësisë së tyre”.

“S’ka më turp se kaq. Megjithatë edhe këtë nuk e thua dot më sepse në fakt, në këtë pikë nuk është dot më e imagjinueshme se deri ku mund të shkojë akoma paturpësia ndaj vendit e ndaj njerëzve të këtij vendi”, vijoi ai.