RTSH 24 Live

Televizion

Radio Tirana 1/ Monika Salihu në një rrëfim të pazakontë për jetën, muzikën, përfshirjen në politikë dhe të ndjerit nënë  

24/07/2023

Radio Tirana 1/ Monika Salihu në një rrëfim të pazakontë për jetën, muzikën, përfshirjen në politikë dhe të ndjerit nënë  

Monika Salihu rikthehet në muzikë pas një dekade mungesë. Këngëtarja nga Kosova u bë e njohur në mesin e viteve 2000 me natyrën rebele, pamjen e veçantë dhe këngët e stilit RnB si “Vetëm për një puthje” dhe “Çika e boksierit”.

“Je i pari pas 12 vitesh që jap intervistë në Shqipëri.” – u shpreh Monika Salihu në intervistën me gazetarin Andri Xhahu që u transmetua paraditen e sotme në Radio Tirana 1.

Salihu tregon arsyet e mungesës dhjetë vjeçare në muzikë. “U bë një dekadë që s’kam pranuar as të këndoj dhe as të dal në intervista. As në ëndërr nuk e kam parë, as me sy çelur dhe as me sy mbyllur, që do të këndoj sërish. Kanë qenë shumë arsye që e lashë muzikën dhe më la. Arsyeja më e madhe është se muzika u bë shumë ‘shoëbiz’. Unë isha këngëtare e festivaleve dhe albumeve. Pastaj ndryshuan gjërat. Fillova të bie pak në depresion dhe ta vuaj këtë fakt. Mendova që më mirë po shkollohem dhe po punoj. Pastaj u bëra dhe nënë, tash e gjashtë vite. Por brenda shpirtit e kisha një vuajtje dhe një mungesë. U bënë dhjetë vjet pa dalë në skenë.”

Këngëtarja tha se nuk e gjente veten në tregun muzikor shqiptar. “Kur e do një gjë me shpirt dhe sidomos kur është art nuk mundesh gjithmonë të mendosh të shesësh, të bësh pazar. Duhesh me e dasht me shpirt muzikën. Zëri ishte i fundit, ndoshta nuk ishte në listë fare. Po kështu kreativiteti, melodia ose tekstet që nuk kishin më as domethënie. Ishte dëshpërim.”

Ajo e la muzikën për fare pak, por pa kuptuar u bënë dhjetë vite. “Mendova që nuk do të këndoj më fare. Tani që jam rikthyer e pashë që njerëzit nuk më kanë harruar. Ky është inspirimi dhe vullneti im.”

Ky rikthim e sjell Monikën në një stil krejt tjetër. Kënga titullohet “Anjëherë”, tesktin dhe vijën melodike të së cilës e ka shkruar vetë. “Nuk jam më RnB-istja, por tani jam pak më popullore. Është reflektim sepse mosha bën të vetën. Nuk mund të dal si dikur me zinxhira dhe kapela. Është ndryshimi i moshës dhe jam bërë nënë. Shtatë vitet e fundit e kam ushtruar shumë muzikën popullore të mirëfilltë. Dhe njerëzve kjo po u pëlqen. Ndryshimi i ka befasuar por më thonë që ti paske qenë gjithmonë për këtë zhanër.”

E pyetur për angazhimin e saj në politikë, Monika Salihu shpjegon: “Ka qenë para shtatë viteve. M’u ofrua nga një strukturë politike të isha pjesë e stafit për kulturën. Doja të ndihmoja në kulturë dhe në sport që është lënë pas dore. Isha angazhuar para zgjedhjeve, duke shpresuar që do të ishim pjesë e qeverisë por nuk ndodhi. Nëse do kishim qenë pjesë do isha marrë me Ministrinë e Kulturës.”

Një nga këngët më të suksesshme është “Çika e boksierit” të cilën ia ka kushtuar babait të saj, legjendës së boksit Aziz Salihu. “Tani kam vajzën dhe po pres që për disa vite ajo të këndojë ‘Mbesa e boksierit’, për ta vazhduar si traditë. Jam krenare që jam bija e tij. Ai është shumë i madh. Ai do jetë në histori dhe do të shkruhet për të.”

Salihu tregon se e bija gjashtë vjeçare ka talent në muzikë dhe aktrim. “Ajo kërcen dhe këndon. Është e lindur për artiste. Është e mirë edhe në aktrim, imiton, luan role. Është shumë kreative. Por nuk ia them dhe nuk e bëj të madhe. Më dhimbset se unë e di si është bota e muzikës. Është shumë e vështirë. Por ka për ta pasur më të lehtë nëse unë jam pranë saj. Duhet ta ndihmoj se është e vështirë këtu te ne.”

Për muzikën e stilit RnB që bëhet në Shqipëri, Monika Salihu shprehet: “Nga ngjyra e zërit dëgjoj që ka këngëtarë të mirë, por muzikë RnB të pastër nuk kam dëgjuar. Tani bëhet RnB përzier me pop, oriental, qyqek. RnB të vërtetë nuk ka.”