RTSH 24 Live

Kulturë

Qyteti ilir i Kodrionit në Prishtë të Skraparit

07/07/2021

Qyteti ilir i Kodrionit në Prishtë të Skraparit

Në një intervistë për gazetarin Norel Zaimi arkeologu Neritan Ceka ka folur për qytetërimin e lashtë të trevës së Skraparit. Zoti Ceka thotë se nëse në të gjithë Shqipërinë janë kryer gërmime dhe studime intensive në lëmin e arkeologjisë, në Skrapar ka shumë pak ose asfare zbulime. 
"Janë qindra vendndodhje arkeologjike, qytete të lashta të cilat kërkojnë vëmendjen e autoriteteve shteterore që ti nxjerrim nga harresa këto asete të çmuara", thotë arkeologu Ceka. 


Një prej këtyre qytetërimeve ilire ku zoti Ceka ka kryer një ekspeditë në vitin 1972 është qyteza e Kodrionit osë siç njihet nga populli "Rrethi i Kalasë së Prishtës". 
Në këtë ekspeditë zoti Ceka thotë se kanë marrë pjesë edhe arkeologu Luftim Ylli dhe drejtori i Muzeut lokal të asaj kohe zoti Nuri Çuni. 
Për zotin Ceka ka ardhur koha që në Skrapar të nisin zbulimet arkeologjike. “Skrapari është një trevë ende e paeksploruar sepse ne ende nuk i dimë as emrin antik, është një vend me resurse të mëdha natyrore dhe arkeologjike, ndërkohë që ne njerëzit i kemi, po ashtu edhe paratë i harxhojmë dhe ja ku është Prishta. Kjo është një thirrje që mund ti bëjme edhe bashkisë së Skraparit, që një pjesë e investimeve të saj, (nuk duhet shumë por 5-6 mln lekë të vjetra) që atje i hanë laraskat dhe ky është një rast që atje të nisin gërmimet arkeologjike. Përderisa prishtallinjtë po interesohen për rindërtimin e rrugës atëherë ja ku i kemi njerëzit për të rinisur gërmimet" thotë zoti Ceka.

Arkeologu i njohur 80 vjeçar kujton se "...për herë të parë gërmimet arkeologjike kur  i nisa bashkë me kolegun Bep Jubani, kam qenë 22-vjeç. E nisa në Tropojë, ku s’kishte as rrugë as kushte, kemi kaluar me kafshë çadrat, veglat ....". "Prishta nuk mund të presi më sepse ka pritur 2000 mijë vjetë dhe shpresoj që misioni juaj të shkojë deri tek Ministria e Kulturës e cila duhet ta bëjë këtë gjë. Sepse ky do të jetë një lajm i mirë për Skraparin që e meriton, një vend i patriotizmit, i kulturës, i ngjarjeve të mëdha”, thotë Neritan Ceka. 

Më tej zoti Ceka mendon se do të duhet një studim i detajuar për zonën e Skraparit në lidhje me qartësimin e emrit të zonës në antikitet dhe shumë fakteve të tjera që kanë mbetur në harresën e historisë. 
“Unë mendoj që Kodrion është qyteti që gjendet poshtë pyllit në kodrën përballë fshatit Prishtë. Qyteti ku unë kam kryer disa studime gjatë vitit 1972, por aty nuk është se kryem një ekspeditë të mirëfilltë me gërmime arkeologjike". 
Për zotin Ceka territori i Skraparit është shumë pak i studiuar dhe "ajo që dimë deri tani është se deri në Berat janë Parthinët, përtej maleve në fushën e Korçës, Kolonjës dhe Pogradecit janë Dasaretët, Paruejt janë në Përmet, Bylinët i kemi në jug dhe kjo zonë na ka mbetur me një popullësi ende pa një emër". 


Ai çmon se "Kodrioni është një qytet që duhet të bëhet shpejt objekt i gërmimeve arkeologjike ashtu siç ndodhi me Olympen apo Dimalin dhe me gjetjet e tyre arkeologjike deri tek monedhat dhe vulat duke na dhënë mundësinë e identifikimit ashtu si edhe për Antigonenë, emrin e të cilës e saktësoi gjetja e pullave ku shkruhej emri i qytetit". 


Për të mbetur tek Prishta dhe Kodrioni, zoti Ceka vlerëson se "ai vend po bëhet interesant për shkak të kanioneve. Që nga kanioni e deri në Prishtë është shumë afër. Ka edhe monumente te tjera. Skrapari ka monumente të rëndësishme të mesjetës, vetë kalaja e Skraparit një mrekulli e ruajtur në mënyrë të përsosur. Është një vend historik ku përmendet në kryengritjen e madhe kundër sundimit bizantin në 1336 ku bashkë me kalanë e Tomorit luajnë një rol të rëndësishëm. Këto monumente bashkë me Malin e Tomorit, Kanionet e Osumit dhe monumentet që folëm, mund të integrohen shumë mirë në një paketë të mirfilltë të turizmit kulturor. Prandaj çështja e madhe në Shqipëri është se para ka, specialize  ka por nuk ka vullnet!”-përfundon zoti Neritan Ceka.
Kodrioni sipas arkeologut Neritan Ceka është një qytet i rrallë për nga vendosja. Që nga krijimi i tij e deri në ditët e sotme ai ndodhet i fshehur nga pylli i lisave. Dhe ajo që të bën përshtypje është se ky qytet është ndërtuar me gurë të punuar shumë mire, gurë të lartë katërkëndësh (ciklopikë)në të cilët vihet re një teknikë shumë e mirë punimi, gjë që tregon se në atë kohë jeta në këtë vend kishte një kualitet të mirë. 
Që prej vitit 1972 Kodrioni mbeti në mëshirë të kohës dhe erozionit si dhe ju dorëzua pashmangshëm ekspeditave ilegale të piratëve të arkeologjisë.