RTSH 24 Live

Kosovë

QUINT-i: Keqardhje që Lista Serbe nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për zgjedhjet në veri të Kosovës

25/03/2023

QUINT-i: Keqardhje që Lista Serbe nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për zgjedhjet në veri të Kosovës

Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) njoftuan se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës janë në përputhje me ligjet dhe shprehën keqardhjen që Lista Serbe nuk e ka shfrytëzuar “të drejtën demokratike për marrin pjesë në to”.

“Presim që organet kompetente të veprojnë profesionalisht”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Vendet QUINT-it u bënë thirrje “të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën që mund të prishë zgjedhjet”. Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, refuzon të marrë pjesë në zgjedhje, me arsyetimin se kërkesat e tyre për kthimin në institucionet e Kosovës – formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe largimin e njësive speciale të Kosovës nga veriu - nuk janë plotësuar.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar procesin e riregjistrimit nga targat serbe në ato të Kosovës.

Këto zgjedhje lokale tashmë janë shtyrë një herë në dhjetorin e kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Edhe atëherë Lista Serbe refuzoi të merrte pjesë, ndërkaq, në prag të përgatitjes së procesit zgjedhor, u regjistruan disa incidente, ku u përdorën armë zjarri dhe granata dore.

Më 23 mars, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të respektojnë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Në një komunikatë për media, ajo theksoi se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale tashmë janë shtyrë një herë dhe ftoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen më 23 prill. Gjithashtu, ajo u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të shtyjnë afatin për paraqitjen e kandidaturave.

Afati për paraqitjen e kandidaturave ka kaluar më 22 mars. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka aplikime të reja, por se vetëm është konfirmuar kandidatura e atyre që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Kjo do të thotë se janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Që nga viti 2013, kur u formua Lista Serbe me mbështetjen e Beogradit, pothuajse në të gjitha zgjedhjet e Kosovës, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave të votuesve nga radhët e komunitetit serb. Mirëpo, misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian, në raportet e tij pas zgjedhjeve, rregullisht konstaton se Lista Serbe “e ka monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”, dhe se janë regjistruar raste të frikësimit, përkatësisht, se votuesve u është bërë presion nga kandidatët dhe aktivistët e Listës Serbe./REL

/rtsh.al/