Qendra më e madhe spitalore në vend, ajo universitare “Nënë Tereza”, po regjistron çdo vit shifra në rritje të tumoreve. Sallat e kirurgjive të cilat janë porta e fundit për pacientët e prekur, po përballen me një numër të lartë të patologjive malinje të organeve të brendshme.
“Kemi rritje të ndjeshme të sëmundjeve malinje. Ne jemi aksi përfundimtar sepse kirurgjia është fundi, aty ku vinë pacientët pasi operohen dhe vihet re një rritje e patologjive malinje të organeve gastro–intestinale si p.sh.: kanceri i stomakut, kanceri i kolonit, i pankreasit dhe kjo rritje është e verifikueshme edhe në statistika. Nëse flasim për para viteve 90-të, në kemi pasur 7 raste me kancer kolorektal në 100 mijë banorë, ndërsa sot kemi vajtur në 18 raste për 100 mijë banorë. Pra kemi një trefishim të incidencës së kancerit të zorrës së trashë. Vendet e BE e kanë nga 30-40 raste të reja për 100 mijë banorë. Unë besoj se kjo rritje është shkak i stilit të jetesës , i mënyrës se si ushqehemi dhe mungesës së aktivitetit fizik“, u shpreh Arben Gjata, Shef i Kirurgjisë, QSUT.
Në një intervistë për RTSH, prof. Gjata thotë se fatkeqësisht rastet e sëmundjeve malinje në kirurgji janë kancer stadi I tretë që do të thotë se pacientët vijnë vonë , pa u kujdesur për kontrolle periodike
“Vijnë pas stadit të 3-të për shkak edhe mungesës së kujdesit nga vetë qytetarët. Nuk bëjnë kontrollin bazë shëndetësor në mënyrë periodike, nuk kryejnë ekzaminime. P.sh. kanceri i kolonit duhet patjetër të ketë ekzaminime të hershme për tu trajtuar. Një person pas moshës 50 vjeç duhet të bëjë patjetër kolonoskopi, apo dikush tjetër që vuan nga stomaku duhet të bëjë ekzaminime te hershme por kjo lidhet ngushtë me mungesën e kulturës mjekësore që ne fatkeqësisht ende kemi“, tha Gjata.
Një lajm i mirë në mesin e gjithë këtyre kirurgjive është ai i rënies spektakolare të infeksioneve spitalore.
“Ne kemi vuajtur shumë nga infeksionet spitalore më parë. Kemi pasur shumë probleme me këtë pjesë por sot, infeksionet e plagës në sallat tona kirurgjikale llogariten në 1-2% të të gjitha rasteve që operojmë dhe kjo falë kushteve më të mira në sallë, instrumenteve më të mirë kirurgjikalë që përdorimit dhe sterilizimit“, u shpreh ai.
Në konferencën vjetore kirurgjikale mjekë kirurgë të QSUT sollën teknikat me të fundit të kirurgjive malinje dhe jo vetëm duke theksuar jo vetëm efikasitetin e lartë të tyre por edhe uljen e ditë qëndrimit të pacientit në spital dhe ndikimin në një cilësi me të mirë jetese për ta.
Gazetare: Sonila Mlloja
/RTSH/