RTSH 24 Live

Aktualitet

Qeveria zgjat me 3 vjet moratoriumin e gjuetisë, sanksione miliona lekë për shkelësit, kush përjashtohet nga ligji

15/08/2022

Qeveria zgjat me 3 vjet moratoriumin e gjuetisë, sanksione miliona lekë për shkelësit, kush përjashtohet nga ligji

Qeveria vendos të zgjas me 3 vjet të tjera moratoriumin e gjuetisë. Për këtë qëllim, nëpërmjet disa ndryshimeve në ligjin për “Moratoriumin e Gjuetisë”, janë përcaktuar rregullat e reja që  do të zbatohen gjatë ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi i këtij moratoriumi është pezullimi i përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër. Po ashtu edhe përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë, pezullohet.

Kontratat për mbarështimin e faunës së egër do të jenë të vlefshme, por edhe në këto zona ku mbarështohet fauna e egër, nuk mund të ushtrohet gjuetia, deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.

Përjashtimet nga moratoriumi

Sipas vendimit të qeverisë, përjashtohen nga fusha e zbatimit: a) gjuetia në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, si dhe në rastet e konstatimit të dëmtimit të  kulturave bujqësore, blegtorisë dhe ndaj jetës njerëzore në zonat rurale sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë; b) gjuetia për qëllime kërkimore -shkencore.

Afati

“Afati i zbatimit të këtij  ligji është tre vjet nga data e hyrjes së tij në fuqi. Organet që kontrollojnë zbatimin e rregullave për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të  gjithë territorin e Republikës së  Shqipërisë janë: a) Ministria përgjegjëse për mjedisin nëpërmjet strukturave të saj përgjegjëse kontrolluese/inspektuese brenda fushës së saj të përgjegjësisë; b) Ministria e Brendshme nëpërmjet  Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit; c) strukturat përgjegjës e kontrolluese/inspektuese në bashki.”- thuhet në ligjin e botuar tashmë edhe në Fletoren Zyrtare, gjë që i jep fuqi ligjore.

Sanksionet

Shkeljet e këtij  ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë  kundërvajtje  administrative dhe dënohen si më poshtë: a) kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800. 000  (tetëqind mijë) deri në 1 000 000 (një milion) lekë; b) kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese sipas shkronjës “a” të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80. 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

Në rastet e përsëritjes së shkeljes nga subjektet e parashikuara më sipër, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues  edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut. /a.meta

/rtsh.al/