RTSH 24 Live

Ekonomi

Qeveria: Komisioni i Prokurimit Publik, organi kompetent për shqyrtimin e ankesave për pavlefshmërinë e kontratave

06/08/2022

Qeveria: Komisioni i Prokurimit Publik, organi kompetent për shqyrtimin e ankesave për pavlefshmërinë e kontratave

Me propozim të Kryeministrit, Edi Rama, Këshilli  i Ministrave vendosi që Komisioni i Prokurimit Publik është organi kompetent për shqyrtimin e ankesave për pavlefshmërinë e kontratave. Me marrjen e ankesës, Komisioni i Prokurimit Publik vendos pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të kontratës, me anë të një  vendimi të ndërmjetëm, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Komisioni i Prokurimit Publik mund  të lejojë autoritetin ose entin kontraktor të vazhdojë zbatimin e kontratës, nëse pezullimi mund të cënojë çështjet thelbësore të interesit të përgjithshëm.

Komisioni i Prokurimit Publik mund të shpallë një kontratë absolutisht të pavlefshme, kur konstaton ekzistencën e kushteve të përcaktuara. Nëse pas shqyrtimit të të gjithë aspekteve përkatëse, çmohet   se shpallja e pavlefshmërisë absolute të kontratës mund të cënojë çështjet thelbësore të interesit të përgjithshëm, Komisioni i Prokurimit Publik vendos të mos e shpallë kontratën absolutisht të pavlefshme.

Nuk konsiderohen çështje thelbësore të interesit të përgjithshëm interesat ekonomike të lidhura drejtpërdrejt me kontratën në fjalë, si: a) kostot për shkak të vonesave në zbatimin e kontratës; b) kostot për shkak të shpalljes së një procedure të re prokurimi; c) kostot për shkak të  ndryshimit të operatorit ekonomik, që do të zbatojë kontratën; ç) kostot për shkak të detyrimeve ligjore  si pasojë e pavlefshmërisë.

Në përfundim të shqyrtimit të ankesës, në rastin kur nuk shpallet pavlefshmëria e kontratës, Komisioni i Prokurimit Publik, vendos: a) të shkurtojë afatin e zbatimit të kontratës; b) dënimin me  gjobë  të  autoritetit ose entit kontraktor, për shkeljet  e  konstatuara, sipas këtij vendimi.

Gjoba duhet të vendoset në raport me vlerën e  kontratës së nënshkruar, por në çdo rast, jo më shumë se 10% e kësaj vlere. Në vendosjen e masës së gjobës, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të marrë në konsideratë disa elemente, si: a) rrethanat, në të cilat është kryer shkelja; b) rëndësia e shkeljes së kryer; c) pasojat, që kanë ardhur; ç) proporcionaliteti midis dëmit të  shkaktuar dhe masës së gjobës; d) vlerën e përllogaritur të kontratës; dh) parimet e prokurimit, që janë shkelur; e) përsëritjen e shkeljeve në raste të tjera.

Komisioni i Prokurimit Publik përcakton në vendimin  e tij afatin brenda të cilit duhet zbatuar vendimi i dhënë. Palët kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin e dhënë  nga  Komisioni i Prokurimit Publik, në Gjykatën Administrative të Apelit. /a.meta

/rtsh.al/