RTSH 24 Live

Politikë

Qeveria e re gjermane, për Shqipërinë propozohet hapja e kapitujve të parë të negociatave me BE

24/11/2021

Qeveria e re gjermane, për Shqipërinë propozohet hapja e kapitujve të parë të negociatave me BE

Marrëveshja e koalicionit e tre partive gjermane që do të formojnë qeverinë e re federale mbështet integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, mëson European Western Balkans. Marrëveshja propozon hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vazhdimin e negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.

“Ne mbështesim integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë kuptim, reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në dokument.

Në këtë kuadër do të forcohet edhe shoqëria civile, shtohet më tej. Gjithashtu mbështetet dialogu Beograd-Prishtinë i zhvilluar nën kujdesin e BE-së, si dhe përpjekjet për të ruajtur paqen afatgjatë në Bosnje bazuar në ruajtjen e integritetit territorial dhe kapërcimin e dallimeve etnike. Me negociatat e anëtarësimit, duhet të përmirësohet kapaciteti i BE-së për të pranuar anëtarë të rinj, thuhet në dokument.