RTSH 24 Live

Ekonomi

Qeveria bën gati buxhetin 2022

13/10/2021

Qeveria bën gati buxhetin 2022

Projektbuxheti i vitit 2022 është në fazë diskutimi. Televizioni Shqiptar ka mësuar nga burime të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë se në proceset e buxhetimit të vitit që vjen do të merren në konsideratë rreziqet e mundshme negative që mund të shfaqen, siç është rasti i rreziqeve fiskale që lidhen me sigurimin e energjisë elektrike dhe çmimet. Financat shqiptare nënvizojnë se, veç tyre, kanë marrë në konsideratë edhe rreziqe të tjera të mundshme, duke hartuar jo thjesht planifikimin buxhetor vjetor apo afatmesëm, por edhe skenarë alternativë, përveç atij bazë.

Delina Ibrahimaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë tha se “Gjatë proceseve tona të planifikimit të buxheteve vjetore apo afatmesme ne marrim në konsideratë edhe skenarë të tjerë alternativ, përveç atij bazë. Megjithatë, dua të ritheksoj që deri më tani, perspektiva afat-mesme e ekonomisë, sipas skenarit tonë bazë, mbetet përgjithësisht inkurajuese dhe vlerësojmë se ka mundësi të mira për tu materializuar përgjithësisht në linjë më këtë skenar bazë”

Të njëjtat burimet nga grupi i hartimit të projektit të buxhetit 2022 i thanë Televizionit Publik se përballimi i rreziqeve reale është bërë i mundur edhe për faktin se shpenzimet e 2021 kanë performuar normalisht, megjithëse me një ritëm më të ulët se sa plani respektiv i periudhës. 
Ministria e Financave deklaron se deficiti fiskal deri tani ka rezultuar konsiderueshëm poshtë planit të periudhës, gjë që jo vetëm është pozitiv për qëndrueshmërinë në përgjithësi të buxhetit të këtij viti, por krijon hapësirë për të akomoduar nevojat shtesa që mund të ketë ekonomia shqiptare si përshembull rasti i fundit i lidhur me energjinë dhe çmimet, dhe masat mbështetëse,  të cilat u shpallën pak ditë më parë nga Kryeministri i vendit. 
Sipas të dhënave zyrtare, tkurrja e Prodhimit të Brendshëm Bruto për shkak të pandemisë arriti kulmin në tremujorin e dytë të vitit 2020 në rreth minus -11% dhe tremujori i fundit e riktheu ekonominë në terren pozitiv.  

Ndërsa i gjithë viti 2020 regjistroi një recension prej minus -4%, i cili edhe pse është recensioni i dytë më i fortë që ekonomia ka përjetuar në tre dekada, sërisht është me rëndësi fakti se ky recension ishte shumë më i përmbajtur sesa pritjet fillestare të institucioneve të ndryshme, vendase dhe ndërkombëtare, që varionin nga rreth minus -6% deri në rreth minus -8%.  

Po ashtu, në aspektin e financimit të buxhetit, pra të huamarrjeve të planifikuara për vitin 2021, deri më tani, sipas burimeve zyrtare,  ecuria është normale, në linjë me planifikimet e buxhetit. Shqipëria regjistroi një deficit buxhetor qeveritar të barabartë me 6.90 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit në vitin 2020.
  
Ministria e Financave dhe ministritë e tjera të linjës janë duke diskutuar së brendshmi në një proces pune mjaft intensiv për hartimin e buxhetit 2022 dhe atij afatmesëm 2023-2025.Por ende nuk ka në një plan buxheti dhe vendimmarrje finale.