RTSH 24 Live

Sociale

Qendër e re komunitare në Kombinat, marrin shërbim 800 familje dhe strehë për 250 të moshuar

24/11/2021

Qendër e re komunitare në Kombinat, marrin shërbim 800 familje dhe strehë për 250 të moshuar

Qendra e re sociale “Të qëndrojmë së bashku” çeli sot dyert duke ofruar shërbime më cilësore për 800 familje të Kombinatit. Të pranishëm në përurimin e kësaj qendre ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Në fjalën e tij, Ahmetaj solli në vëmendje mbështetjen e qeverisë për shtresat në nevojë. “Ky është një moment shumë emocional jo thjesht për procesin e rindërtimit por për gjithë atë që mishëron kjo qeveri për qytetarët në nevojë. Ne premtuam se nuk do t’i lëmë vetëm dhe nuk do t’i lëmë mbrapa. Tërmeti, përtej një fatkeqësie shumë të madhe që rëndoi në kurriz të shumë familjeve na testoi si shoqëri, si individë dhe si qeveri. Dhe ja dolëm jo me pak vështirësi. Përpos tërmetit, pati dhe pandemi dhe sërish ne nuk dhamë një premtim politik apo elektoral, por bëmë një premtim njerëzor”, tha Ahmetaj.

Ai theksoi se “kjo mazhorancë është tejet e lidhur me qytetarin dhe komunitetin dhe këtë e dëshmon edhe kjo qendër komunitare model”. “Kjo mazhorancë ka vendosur në themel qytetarin e zakonshëm, në nevojë. Buxheti i vitit që vjen, përveç investimeve në infrastrukturë, ka në themel paketën e mbështetjes për familjen, kujdesin për fëmijët e të rinjtë dhe moshën e tretë. Sërish pensionet do të rriten 5% vitin që vjen dhe bonusi i fundvitit është tashmë i përhershëm në buxhet”, tha Ahmetaj. Ndërkohë, ai theksoi se mbështetje ofrohet edhe për të rinjtë, për t’i bërë më konkurrues në ekonominë globale.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. u shpreh se kjo qendër është sot shembull i gjithë shërbimeve sociale që ofrohen në institucionet e ngritura për familjet në nevojë dhe individët me nevoja të veçanta.“Ta gëzojmë qendrën më të bukur në Ballkan! Qendër komunitare, qendër sociale, një shtëpi të madhe për të gjithë banorët e Kombinatit, Astirit, Njësisë 14, Yzberishtit, Pezës, Vaqarrit e Ndroqit. Sot është një ditë e jashtëzakonshme! Sigurisht, ka gëzim hapja e çdo shtëpie individuale të çdo familjeje, por kjo shtëpi e madhe për 800 familje është kënaqësi e jashtëzakonshme,” u shpreh Veliaj. “Kemi ngritur një etalon të ri, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin. Fillimisht nisi si një qendër komunitare për t’iu ardhur në ndihmë të moshuarve të vetmuar. Në fakt, vizioni për të hapur këtë qendër ka qenë i Edi Ramës kur ishte kryetar bashkie. Ishte ideja që në zonën e “Misto Mames” të kishte një hapësirë për të ofruar disa shërbime bazë për të moshuarit, për fëmijët me aftësi ndryshe dhe sigurisht për ato 800 familje që kanë nevojë për një vakt. Dhe sot vizioni i Ramës në 2007-ën është kthyer në një qendër, që mund të themi është më e bukura,” vijoi Veliaj.

Qendra ofron një strehë dhe vakte të ngrohta edhe për të moshuarit. “Kemi krijuar një traditë shumë të mirë për festat tradicionale, kur edhe vetmia ndihet pak më shumë, të cilat i organizojmë në komunitet. Nga ky Vit i Ri do kemi kapacitet për 250 vakte në ditë, sidomos për të moshuarit e vetmuar dhe familjet në nevojë”, nënvizoi Veliaj.

Shërbimet për fëmijët me aftësi ndryshe në këtë qendër, si fizioterapi, terapi arti, logopedi, terapi zhvillimi, terapi okupacionale janë të gjitha pa pagesë.