RTSH 24 Live

Aktualitet

Qarkullonin me armë në makinë, Policia arreston 4 persona, 3 prej tyre me precedentë kriminalë

24/11/2022

Qarkullonin me armë në makinë, Policia arreston 4 persona, 3 prej tyre me precedentë kriminalë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 4 persona, 3 prej të cilëve me precedentë kriminal, pasi qarkullonin me armë në automjet. Policia sqaron se janë vënë në pranga 33-vjeçari B.M., 28-vjeçari K.K., 32-vjeçari K.V. (K) dhe 22-vjeçari R.M. Policia ka sekuestruar 2 pistoleta, 2 kallashnikova, krehëra, municion luftarak, makinën me të cilën po udhëtonin 4 shtetasit dhe 5 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Katrori”.

Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit: B. M., 33 vjeç; K. K., 28 vjeç; K. V. (K.), 32 vjeç dhe R. M., 22 vjeç. Shërbimet e Policisë ndaluan në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, automjetin tip “Range Rover”  me të cilin qarkullonin këta 4 shtetas. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehëra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit.

Në vijim të operacionit “Katrori”, u ushtrua kontroll edhe në banesat e këtyre shtetasve dhe si rezultat, në banesën e shtetasit të arrestuar R. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikovë dhe një sasi municioni luftarak. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 4 armë zjarri, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 5 aparate celulare dhe automjeti me të cilin lëviznin 4 të arrestuarit”, njofton Policia.

/rtsh.al/