RTSH 24 Live

Botë

Putin e pranon për herë parë: Sanksionet e Perëndimit mund t’i japin një goditje të rëndë ekonomisë ruse

30/03/2023

Putin e pranon për herë parë: Sanksionet e Perëndimit mund t’i japin një goditje të rëndë ekonomisë ruse

Presidenti Vladimir Putin ka pranuar se sanksionet perëndimore e vendosura ndaj vendit të tij pas pushtimit të Ukrainës, mund t'i japin një goditje të rëndë ekonomisë ruse.

“Kufizimet e paligjshme të vendosura në ekonominë ruse mund të kenë vërtet një ndikim negativ në një afat të mesëm”, tha Putin në një fjalim televiziv.

Kjo është hera e parë që Putin e pranon një gjë të tillë, i cili ka këmbëngulur vazhdimisht se ekonomia ruse mbetet elastike dhe se sanksionet kanë dëmtuar vendet perëndimore duke rritur inflacionin dhe çmimet e energjisë.

Putin tha se ekonomia e Rusisë ishte në rritje pjesërisht që nga korriku, falë lidhjeve më të forta me vendet e Lindjes dhe Jugut, me gjasë duke iu referuar Kinës dhe disa vendeve afrikane, transmeton CNN.

Kina i ka hedhur Kremlinit litarin e shpëtimit ekonomik duke blerë energji nga Rusia dhe duke ofruar një alternativë ndaj dollarit amerikan.

Të ardhurat e qeverisë ruse ranë me 35% në janar krahasuar me një vit më parë, ndërsa shpenzimet u rritën me 59%, duke çuar në një deficit buxhetor prej rreth 1,761 miliardë rubla (23.3 miliardë dollarë).

Banka Botërore dhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim parashikojnë tkurrje prej 3.3% dhe 5.6%, respektivisht në vitin 2023.

Ndërkaq, Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që rritja e Rusisë të mbetet e pandryshuar këtë vit, por që ekonomia të tkurret me të paktën 7%.

Në përgjigje të agresionit të Rusisë në Ukrainë, vendet perëndimore kanë bërë të ditur se janë vendosur shumë se 11,300 sanksione që nga shkurtit i vitit të kaluar, dhe kanë ngrirë rreth 300 miliardë dollarë të rezervave valutore të Rusisë.

/rtsh.al/