RTSH 24 Live

Botë

Putin dhe Erdogan takohen në Soçi, Peskov: Presidenti rus do mbajë shumë takime jashtë syrit të publikut

05/08/2022

Putin dhe Erdogan takohen në Soçi, Peskov: Presidenti rus do mbajë shumë takime jashtë syrit të publikut

Presidenti rus Vladimir Putin do të takohet sot (5 gusht) me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan. Çështjet dypalëshe dhe kriza në Ukrainë do të jenë në fokus të takimit që do mbahet në Soçi të Detit të Zi mes Putin dhe Erdogan.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov ka bërë me dije se program i Putin përmban shumë takime pune të cilat do të jenë jashtë syrit të publikut.

“Vizita e punës e Erdoganit do të bëhet vërtet të premten dhe të dy presidentët do të zhvillojnë bisedime në Soçi. Përveç kësaj, programi i presidentit rus rendit "shumë bisedime, shumë takime pune që do të jenë jashtë syve të publikut, por, megjithatë, do të ketë shumë të tilla gjatë gjithë ditës", tha ai.

Sipas TASS, Ankaraja e sheh takimin e Soçit si vazhdimësi të takimit të 19 korrikut të të dy presidentëve, të mbajtur në kryeqytetin e Iranit, Teheran, ku dy udhëheqësit trajtuan një sërë çështjesh dypalëshe.

"Nëse ka lindur nevoja për një raund tjetër bisedimesh, kjo do të thotë se palët kanë diçka për t'i thënë njëri-tjetrit", tha presidenti i Institutit të Politikës së Jashtme të Turqisë, Huseyin Bagci.

Formati i bisedimeve parashikon një takim kokë më kokë, pasuar nga një takim i zgjeruar i delegacioneve ruse dhe turke. Pas kësaj, dy liderët do të kenë një darkë pune.

/rtsh.al/