RTSH 24 Live

Ekonomi

Pse nuk blejmë grurin shqiptar? Në bursë çmimi është dyfishuar, në vend është 30 % më lirë

26/06/2022

Pse nuk blejmë grurin shqiptar? Në bursë çmimi është dyfishuar, në vend është 30 % më lirë
Foto ilustruese

Importojmë disa dhjetëra milionë dollarë grurë dhe miell nga vendet prodhuese, por kemi pak interes për të grumbulluar dhe blerë prodhimin e grurit nga fermerët shqiptarë.

Televizioni Shqiptar ka trajtuar në vijimësi rolin dhe vendin që ka prodhimi vendas i drithit në plotësimin e nevojave të konsumatorëve shqiptarë, me kosto më të ulët dhe me përfitim për fermerin, sidomos në kushtet kur tregu ndërkombëtar ka kapur majat e çmimeve, për shkak edhe të krizës së luftës.

Bazuar në të dhënat e Eurostatit, Shqipëria ka importuar gjatë vitit 2021 mbi 212 mijë ton grurë. Rreth 70% është importuar nga Rusia. Tabela në vijim tregon se cili ka qenë çmimi i zhdoganimit të grurit dhe miellit për vitin që kaloi deri në periudhën kur u realizua prodhimi vendas i grurit, pra deri në shtator. Sikurse shihet çmimi mesatar i një kilogram gruri ka qenë 31 lekë.

Tabela e çmimeve të zhdoganimit të grurit e miellit gjatë vitit 2021

Tabela e çmimeve të zhdoganimit të grurit e miellit gjatë vitit 2021

Bazuar në bursën e para 2 ditëve, të raportuar nga ekspertët e fushës, gruri shitet me 54 lek (pa TVSH, transport dhe normë fitimi). A është një mundësi e mirë blerja tani e grurit të prodhuar nga fermerët shqiptarë, i cili ka një çmim rreth 30 për qind më të ulët se sa ai i importit dhe një cilësi shumë më të mirë.

Televizioni shqiptar kërkoi dhe siguroi të dhënat zyrtare të kultivimit të kësaj kulture.

Shqipëria kultivon 131,100 ha drithëra, nga ku 53,900 ha janë të mbjella me grurë. Qarku i Fierit kultivon sipërfaqen më të madhe me drithëra, rreth 32 mijë ha (24%) nga ku 15 mijë ha janë të kultivuar me grurë (27%).

Korça zë vendin e dytë në kultivimin e grupit të drithërave me 16% të sipërfaqes, nga ku me grurë janë të kultivuar rreth 22%.

Qarku i tretë i rëndësishëm është Elbasani ku kultivohen rreth 20 mijë ha drithëra, nga ku gruri zë 16%.

Prodhimi në vend i grurit është 232 mijë ton, ndërkohë që importi është rreth 307 mijë ton. Shqipëria harxhon me import jo më pak se 60 milionë Euro. Përveç grurit, Shqipëria importon rreth 23 mijë ton miell, me një vlerë rreth 9.3 milion USD.

/rtsh/