RTSH 24 Live

Politikë

PS- PD larg konsensusit për votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e 25 prillit

13/01/2021

PS- PD larg konsensusit për votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e 25 prillit

PD dhe PS duket se janë shumë larg konsensusit për votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e 25 prillit. Realizmi i projektit pilot do të bëhej në jo më shumë se 20 % të zonave zgjedhore dhe secila parti do të shprehte dy qarqet që donte që numërimi dhe votimi elektronik të bëhej.

PD e LSI kanë kërkuar që kjo të realizohet në qarkun e Fierit dhe Korçës. PS ka propozuar disa zona të Tiranës dhe Korçën për projektin pilot të numërimit dhe votimit elektronik, por është tërhequr. PS shprehet se ky projekt pilot duhet të realizohet vetëm në një ZAZ dhe se këtë le ta vendosë vetë KQZ-ja se kush do të jetë. 

Ndërkohë për votën e emigrantëve deri me tani alternativa e PS është që ajo të bëhet me postë dhe se emigrantët duhet të regjistrojnë fillimisht vendbanimin e tyre. Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka vendosur të ngrejë një sistem që do mundësojë regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit. Nëpërmjet një projektvendimi që pritet të miratohet se shpejti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon që emigrantët të regjistrohen por fillimisht të deklarojnë vendbanimin e tyre ashtu si parashikon ligji i vitit 2016. Shtetasit shqiptarë që do duhet të japin votën për zgjedhjet parlamentare, do të plotësojnë të gjitha të dhënat që do të kërkojë sistemi i KQZ, i cili gjithashtu do të bëjë verifikimin e çdo shtetasi nëpërmjet dy mënyrave: mënyra e parë është të japë të dhënat personale edhe të familjareve, ndërsa mënyra e dytë nëpërmjet FACE ID.