RTSH 24 Live

Politikë

PS nis kongresin, Fatos Nano përcjell mesazhin : Me Edi Ramën dhe bekimin e zotit le të vijnë ditët e bardha për Shqipërinë!

12/06/2021

PS nis kongresin, Fatos Nano përcjell mesazhin : Me Edi Ramën dhe bekimin e zotit le të vijnë ditët e bardha për Shqipërinë!

Në Tiranë Partia Socialiste në pushtet ka nisur të shtunën pas dite kongresin e saj të jashtëzakonshëm në stadiumin "Air Albania". Ai është zgjedhur të mbahet në një ditë me 30-të vjetorin e krijimit të saj. Kongresi mbahet pas fitores së tretë radhazi të socialistëve në zgjedhjet prlamentare të 25 prillit. Pas dokumentarit për jetën e kësaj force politike, më e madhja në Shqipëri, tërhoqi vemendje fjala e udhëheqësit historik të socialistëve Fatos Nano, me mesazhin për të gjithë socialistët dhe kryeministrin Edi Rama.
"Të dashur bashkëmoshatarë, kështu ju quaja në vitet e para. Në vitet kur së bashku e bëmë PS-në forcë të parë në Shqipëri, evropian, progresiste dhe fituese. Sot jemi të gjithë 30-vjeçarë, prandaj ky është një përvjetor që na jep krenari të gjithëve. Në tri dekada kemi mundur të ruajmë traditat më të mira dhe të ndryshojmë Shqipërinë, duke ecur me hapin e kohës.
Prandaj jemi sot e vetmja forcë politikë në Shqipëri e cila mendon globalisht dhe vepron lokalisht. Fitorja e mandatit të tretë është një frymëmarrje e re për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Jam gëzuar si asnjëherë më parë për këtë arrije të jashtëzakonshme. Le të vazhdojmë reformat për ta ngritur Shqipërinë në standardet e BE-së.
Ky është misioni ynë historik. Unë kam besim të plotë që me Edi Ramën dhe bekimin e zotit ju do ta përmbushni këtë objektiv historik. Rrofshi dhe qëllofshi gjithmonë në shenjë. Le të vazhdojnë ditët e bardha për Shqipërinë" tha zoti Nano.

Kongresi i jashtëzakonshëm i PS pritet të bëjë një analizë të hollësishme të zgjedhjeve të 25 prillit, si dhe të shpalosi programin për mandatin e tretë dhe vizionin "Shqipëria 2030".