RTSH 24 Live

Kronika

Protestë në Lungomare për muzikën, Rama: Muzika do të ndalet në 23.00 !

20/07/2021

Protestë në Lungomare për muzikën, Rama:  Muzika do të ndalet në 23.00 !

Ndërsa sezoni turistik në Shqipëri po intensifikohet gjithnjë e më shumë, duket se po intensifikohen edhe mosmarrëveshjet mes autoriteteve shtetërore dhe pronarëve e bizneseve në Vlorë, veçanërisht në zonën e plazheve. 
Këta të fundit vazhduan protestën edhe gjatë orëve të mbrëmjes të së hënës. 
Në fokus të kësaj mosmarrëveshjeje është lejimi i muzikës dhe fillimi i orës policore.
Bizneset deklaruan se nëse dy kërkesat e tyre për zgjatjen e orarit të lejimit të muzikës deri në orën 24:00 dhe lejimit të orës policore të lëvizjes nga 24:00 në orën 02:00 nuk do të tërhiqen, por do të vazhdojnë protestën. 
Vendimin e qeverisë për zgjatjen e fashës orare vetëm me një orë të lejimit të muzikës ata e cilësuan " karamele". 
Mbrëmjen e së hënës bizneset rrethuan në mënyre simbolike lokalet e tyre me shirita duke ndezur disa qirinj ndërsa vendosen edhe disa pankarta me mesazhe "Mos na prekni klientët!". 
Protestës ju bashkuan edhe banorë të Vlorës dhe turistëve që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në këtë qytet. Një pjesë e tyre u shprehen se qeveria duhet të reflektojë për të plotësuar kërkesën e biznesve. 
Kryeministri Edi Rama nga aana e tij u shpreh se bizneset në Lungomare nuk kanë muzikë, por ndotje akustike. “Protestë në Lungomare për muzikën? 1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra linja burime menjëherë. E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi të drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit!”.
“Siç është lajmëruar, nga data 20 Korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike” tha kryeministri Rama.