RTSH 24 Live

Politikë

Protesta e 7 korrikut, Berisha: Të përgatitemi për një lëvizje të gjatë! Asgjë s’e pengon fitoren tonë

28/06/2022

Protesta e 7 korrikut, Berisha: Të përgatitemi për një lëvizje të gjatë! Asgjë s’e pengon fitoren tonë

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, në një tryezë me përfaqësues të shoqërisë civile për protestën e 7 korriku, ka paralajmëruar se lëvizja e tyre do të jetë e gjatë. Berisha i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen në këtë protestë, teksa theksoi se asgjë nuk do të mund ta pengojë fitoren e tyre.

Duhet të jemi të përgatitur për një lëvizje të qëndrueshme dhe të zgjatur. Duhet zbatimi i ligjit. Ne kemi një regjim që nuk përfill as një ligj. Ju ftoj të përgatitemi, asgjë nuk do pengojë fitoren tonë. I bëj thirrje shqiptarëve të bashkohen me këtë kauzë. Ju ftoj ta vazhdojmë këtë betejë”, tha ai.

Berisha nuk la pa sulmuar as qeverinë, duke e akuzuar se po varfëron qytetarët me vendimet e saj. Ndalur te çështja  e negociatave, Berisha tha se Bullgari është vetëm pretekst dhe se problemi i vërtetë është qeveria, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Një qeveri e cila nuk përpiqet të zgjidhë problemet e qytetarëve, por me vendimet e saj ngushton çdo ditë e më shumë lakun në qafën e qytetarëve të vendit tonë. Një qeveri që në rrafshin atdhetar vendos për t’i thënë jo ose po ftesës për në Bruksel duke mos përfillur asnjë institucion shqiptar. Por na informon se u lidh me Aleksandër Vuçiç. Një qeveri që shkon në Bruksel dhe absolutisht flet 5 herë më shumë për Serbinë se për Shqipërinë, kurse e ka të ndaluar të thotë një fjalë të mirë për Kosovën. Sulmon një vend mik që 32 vitet e fundit shqiptarët kanë pasur vetëm miqësi, Bullgarinë. Jo se Bullgaria ka penguar Shqipërinë, Shqipërinë e ka bllokuar Edi Rama për hapjen e negociatave. Vetoja bullgare është për Maqedoninë, me Shqipërinë nuk ka asnjë problem. Shqipëria ka problem qeverinë e saj. Një njeri që mburret se nuk ka master dhe doktoratë, një njeri që nuk kupton ça flet. Një njeri që i shfrytëzon fatkeqësitë për të fituar kapital politik”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/