RTSH 24 Live

Politikë

Propozimet për presidentin, Alibeaj i nis dokumentin tre grupeve parlamentare: Procesi të jetë konsensual

13/05/2022

Propozimet për presidentin, Alibeaj i nis dokumentin tre grupeve parlamentare: Procesi të jetë konsensual

Enkelejd Alibeaj ka informuar dy grupet parlamentare opozitare dhe grupin parlamentar socialist për qëndrimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Në shkresën drejtuar tre grupeve parlamentare, kreu i grupit parlementar të PD, Alibeaj shkruan se Presidenti i ri duhet të zgjidhet në një proces gjithpërfshirës dhe konsensual mes mazhorancës dhe opozitës. Alibeaj thekson se ky dokument nuk ka si qëllim ngurtësimin e një procesi që favorizon opozitën, por që synon gjithëpërfshirje. Më tej, Alibeaj thotë se ky propozim i grupit parlamentar të PD, është i hapur për diskutime nga të gjitha grupet parlamentare, me synimin e vetëm të ndërtimit të një procesi transparent.

“Në vlerësimin tonë, Presidenti i Republikës, i cili sipas nenit 86 të Kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, duhet të zgjidhet në një proces gjithëpërfshirës, konsensual midis shumicës dhe pakicës parlamentare, transparent, luajal ndaj Kushtetutës dhe interesave të qytetarëve. Paraqitja e këtij qëndrimi është një dëshmi e vullnetit tonë të mirë për një proces, i cili t'u japë shqiptarëve një figurë presidenciale dinjitoze, në lartësinë e detyrës kushtetuese dhe me legjitimitet të plotë.

Megjithatë, dokumenti, bashkëlidhur kësaj shkrese, nuk ka si qëllim ngurtësimin e një procesi që favorizon opozitën, por synon gjithëpërfshirjen. Për këtë arsye, ky propozim është i hapur për diskutime, përmirësime apo propozime shtesë nga të gjitha grupet parlamentare, me synimin e vetëm të ndërtimit të një procesi transparent dhe që prodhon produkt të gjithëpranuar. Pasi të njiheni me këtë dokument, mbetemi në pritje të qëndrimit tuaj publik”, shkruhet në propozimin e grupit parlamentar të PD.

/rtsh.al/