RTSH 24 Live

Ekonomi

Projektligji: Bashkitë, brenda 2 vitesh zerojnë borxhet 

30/03/2023

Projektligji: Bashkitë, brenda 2 vitesh zerojnë borxhet 

Të gjitha bashkitë në vend që kanë detyrime të akumuluara, do të jenë të detyruara që brenda dy vitesh të shlyejnë të gjitha borxhet.  

Në projektin për ndryshimin e ligjit “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, që ka mbërritur në parlament synohet që pushteti vendor të zerojnë borxhet që ka ndaj bizneseve dhe qytetarëve.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, ky ndryshim ka për qëllim uljen e masës së detyrimeve të prapambetura që mund të krijojnë njësisë së vetëqeverisjes vendore. 

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, në fund të tremujorit të tretë të vitit 2022, stoku i detyrimeve të prapambetura nga bashkitë arriti në rreth 6.6 miliardë lekë, në rritje me 70 milionë lekë, krahasuar me fundin e vitit 2021, teksa 60% e shumës disponohet nga vetëm 9 bashki.

Niveli më i lartë i stokut të detyrimeve të prapambetura u regjistrua në Bashkinë Tiranë me rreth 1.5 miliardë lekë, ose 23% ndaj stokut total. 

Bashkia Kavajë renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 741 milionë lekë, ose rreth 11% ndaj totalit, ndërsa e treta për peshën ndaj stokut të detyrimeve të prapambetura rezulton bashkia Vorë me rreth 412 milionë lekë apo rreth 6% e stokut total. 

Stoku i detyrimeve të prapambetura është i papërfillshëm në bashkitë si Dropulli, Këlcyra, Patosi, Shkodra, Kolonja, Korça, Fushë Arrëz, etj.

Projektligji i cili ka nisur diskutimet në komisionet kuvendore dhe pas miratimit në seancë pritet të hyjë në fuqi, do ti shtrijë efektet duke filluar nga 2024-ra.

Ndërkohë parapelisht, përmes një akti normativ të miratuar në fund të vitit që lam pas,  qeveria vendosi në dispozicion të bashkive një shumë prej 1 miliardë lekësh për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të trashëguara kryesisht nga ish komunat.

/ rtsh. al /