RTSH 24 Live

Ekonomi

Projektligj i ri për mbështetjen e SME-ve

08/06/2021

Projektligj i ri për mbështetjen e SME-ve

Një projektligj i ri për të ndihmuar në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme është hedhur për diskutim nga Ministria e Financave. Ky projektligj synon rritjen e mbështetjes së biznesit për të forcuar konkurrueshmërinë e tyre dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ndër objektivat kryesore të këtij projektakti është mundësia për krijimin e një kuadri ligjor dhe institucional më të plotë, i cili iu përgjigjet nevojave të  ketyre ndërmarrjeve.  Për herë të parë, synohet  që këto ndërmarrje të kenë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, mbështetje financiare nga donatorët vendas apo të huaj, garanci shtetërore të huasë, Shërbime publike për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
Draftligji përcakton detyrimin e Agjensisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve për të administruar një portal elektronik për instrumentet financiare të krijuara me fonde nga buxheti i shtetit dhe me donatorë.  Më këtë projektakt sigurohet dhënia e mbështetjes shtetërore nëpërmjet ofrimit të shërbimeve mbështetëse  qe do të konsistojë në: 1)Sigurimin e informacionit, 2) këshillimit, 3) zhvillimit të biznesit, 4) trajnimit, 5) zhvillimit profesional apo ritrajnimit, 6) dhënien e shërbimeve metodologjike; si dhe 6) cdo informacion tjetër për mbështetjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve. 
Këto ndërmarrje për të qenë përfitues të  mbështetjes financiare buxhetore do të duhet të plotësojnë disa kritere siç janë:  të mos jenë në proces falimentimi; të kenë paguar rregullisht sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore; të mos kenë detyrime ndaj organeve doganore dhe tatimore, në momentin e aplikimit për fond.
Në bazë të këtij projektligji do të krijohet edhe Këshilli Konsultativ për ndërmarrjet qe është organ këshillimor që ngrihet pranë institucionit përgjegjës për ekonominë, me përfaqësimin e organizatave të biznesit si edhe institucioneve shtetërore. Deri më sot, ka patur një interes të ulët në skemat e bashkëfinancimit të AIDA, për shkak të mungesës së informacionit nga bizneset, mënyra e aplikimit e cila ka qenë nëpërmjet postës dhe jo në formë elektronike, mungesa e shërbimeve mbështetëse për biznesin etj. Për këtë është vlerësuar shumë i nevojshëm rishikimi i kuadrit ligjor për mbështetjen e ndërmarrjeit për të qenë koherent me nevojat e tij.