RTSH 24 Live

Sociale

Projekti i maternitetit "Mbretëresha Geraldinë", Kryeministri Rama: Ruhet e restaurohet godina historike

16/07/2021

Projekti i maternitetit "Mbretëresha Geraldinë", Kryeministri Rama: Ruhet e restaurohet godina historike

Projekti i ri i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ku do të ruhet e restaurohet godina historike, do të rrisë kapacitetet spitalore, ndërsa risia do të jetë Qendra e Prematuritetit, e konceptuar për herë të parë në një maternitet në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama shprehet se në kuadër të këtij projekti madhor për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Maternitetit historik të Tiranës, do të ruhet e restaurohet godina historike.

“MIRËMËNGJES , dhe me projektin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ku do të ruhet e restaurohet godina historike dhe do të zgjerohen kapacitetet për nënat dhe fëmijët, me një hapësirë të re, arkitektonikisht në harmoni me godinën e origjinës, por me teknologji të standardeve europiane, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Kryeministri Rama.

Me projektin për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” do të ndërhyhet në tre plane, ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; rikonstruksioni i plotë i godinës historike që do ruajë detajet e arkitekturës unike të stilit Litoral në fasadën e saj por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine; zgjerimi i objektit ekzistues të Obsetrikës.

Do të jetë një kantier i madh prej mbi 6 mijë metër katror, ku pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obsetrikës dhe Gjinekologjisë.

Materniteti i ri do të ketë 360 shtretër, 10 salla operacioni, kushte bashkëkohore për 7 mijë fëmijë në vit dhe shërbim cilësor për 20 mijë pacientë në vit.