RTSH 24 Live

Ekonomi

Programi qeverisës, rritja ekonomike 4%, borxhi publik zbret në 60%

20/09/2021

Programi qeverisës, rritja ekonomike 4%, borxhi publik zbret në 60%

Rritja ekonomike në Shqipëri pritet të jetë mesatarisht 4 % në vit, duke sjellë më shumë vende pune dhe duke mbështetur edhe rritjen e pagave në vend,

Sektorët prioritarë mbi të cilët do të bazohet zhvillimi i ekonomisë janë turizmi, bujqësia, industria përpunuese, energjia e transporti. Njëkohësisht qeveria planifikon një konsolidim të shpejtë fiskal, duke synuar zbritjen e nivelit të borxhit publik në 60% nga gati 80% që është aktualisht.

“Ne do të vijojmë me konsolidimin fiskal pa cenuar investimet strategjike në fushat prioritare të programit. Në fund të këtij mandati ne synojmë të ulim nivelin e borxhit drejt 60 %, duke reduktuar gjithashtu normën e interesit të tij”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj gjatë prezantimit të programit qeverisës për 4 vitet e ardhshme.

Ministrja tha se borxhi publik u rrit gjatë vitit 2020, kryesisht për shkak të pandemisë. “Është rritur edhe në të gjitha vendet e rajonit dhe eurozonës. Vendet e eurozonës kanë një borxh publik rreth 15 pikë përqindje më të lartë sesa para pandemisë.

Sipas saj, në 8 vite të qeverisjes së kësaj mazhorance, të ardhurat në buxhet u rritëm me 42 %. “Ato planifikohen të jenë 157 miliardë lekë më të larta në fund të këtij viti, krahasuar me vitin 2013. Rritja e të ardhurave në buxhet u mundësua pavarësisht uljes së taksave për 91% të bizneseve dhe kjo falë politikave të duhura fiskale dhe miradministrimit fiskal”, tha Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se do të vijohet me modelin progresiv të taksës, duke besuar në filozofinë se ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë. “Në këtë mënyrë do të ndihmohen të gjithë qytetarët me të ardhura të ulëta”, tha ajo.

Ibrahimaj tha se do të punohet për të siguruar një mjedis të favorshëm për rritjen e vendeve të punës, tërheqjen e investitorëve të huaj dhe që i mundëson biznesit vendase të rriten dhe përmirëson konkurrueshmërinë  në tregjet rajonale dhe globale.