RTSH 24 Live

Sociale

Problemet gripale, mbi 100 raste në ditë në pediatrinë e Lushnjës

26/02/2025

Problemet gripale, mbi 100 raste në ditë në pediatrinë e Lushnjës

Reparti i reanimacionit në spitalin e Lushnjës është i mbushur me fëmijë disaditësh, të cilët janë prekur edhe nga bronkopneumonia.

Mbi 100 raste në ditë paraqiten në repartin e pediatrisë për vizita mjekësore në këtë spital. Problemet gripale kanë prekur moshat latante dhe grupmoshat shkollore. Komplikacionet janë të mëdha edhe për fëmijët e porsalindur.

Sipas mjekes pediatre Nirda Gega, 10-ditëshi i fundit ka sjellë për vizita paciente me çrregullime diarrike, dhimbje barku dhe temperaturë të lartë.

"Në janar arriti deri në 80 numri i fëmijëve të shtruar me komplikacione virale, me bronkopneumoni, diarre apo viroza të tjera," thotë mjekja pediatre Nirda Gega.

Gripi po favorizohet nga moti me lagështirë.

Shpejtësia e rritjes së inflamacioneve në trupin e fëmijëve ka sjellë kalimin e sëmundjes në një fazë më të rëndë: në bronkopneumoni.

Sipas mjekes, nënat nuk duhet të presin 24-orëshin për të ulur temperaturën e fëmijës.

"Ky fundmuaj duket më i qetë, megjithatë në asnjë rast nuk duhet neglizhuar nëse simptomat janë tipike gripale dhe gjendja e përgjithshme e fëmijës nuk është e mirë. Në çdo rast nëna duhet të komunikojë me mjekun e familjes, të marrë masat për temperaturat e larta dhe dehidrimet e thella që u ndodhin fëmijëve gjatë këtyre virozave," thotë Dr. Gega.

Shenjat si rënkimi i fëmijës, pagjumësia ose mospirja e gjirit të nënës duhet të alarmojnë prindin për të sjellë menjëherë fëmijën për vizitë tek mjeku i familjes. Mjekja këshillon se nuk duhet filluar menjëherë terapia me antibiotikë, por fillimisht duhen trajtuar me medikamente për uljen e temperaturës.

Rastet e rënda janë dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar, ndërsa një muaj më parë një fëmijë 6 vjeç nga Divjaka humbi jetën për shkak të bronkopneumonisë bilaterale.

/rtsh.al/