RTSH 24 Live

Kosovë

Prishtinë, shfaqet premiera e operës “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kryezot i Arbërit” 

18/05/2023

Prishtinë, shfaqet premiera e operës “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kryezot i Arbërit” 

Premiera e operës solemne “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kryezot i Arbërit” u realizua me sukses edhe në Prishtinë.

Lajmin e dha në rrjetet sociale kompozitori  Vasil S. Tole. "Një publik i mrekullueshëm mirëpriti edhe në Prishtinë, pas premierës së Tiranës,  operan solemne GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU-KRYEZOT I ARBËRIT!" shkruan Tole, duke shtuar "Skënderbeu na bashkon edhe në muzikë".

Ndërsa ka shprehur falenderimet më të thella për Filarmoninë e Kosovës, orkestrën, korin, solistët, për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, për korin e TKOB, zoti Tole shprehet se "ky bashkëpunim është një provë më shumë, që Kosova meriton sa më parë ndërtesën e operas, se aty operan dhe muzikën e duan, nga qytetari më i thjeshtë e deri tek kryeministri i saj".

Shfaqja në Prishtinë shënoi thellimin e bashkëpunimit ndër institucional kulturor Kosovë-Shqipëri, i cili këtë sezon koncertal ka arritur shifrën e 5 projekteve të përbashkëta, si asnjëherë më parë.

Opera solemne me karakter heroik "Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Kryezot i Arbërit" është shkruar nga kompozitori  Vasil S. Tole mbi tekstin e Fan S. Nolit. Ajo është fituese e “Konkursit mbarëkombëtar të krijimtarisë muzikore”, shpallur nga Ministria e Kulturës në vitin 2018. 

Vepra u shfaq në 555- vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar.

/ rtsh.al /